Më shumë parti, më pak vende në parlament – a është vërtet problem?

Nga Ruben Avxhiu

Një nga argumentet që shfaqen për politikën shqiptare, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi e Luginën e Preshevës është që rritja e numrit të partive është katastrofik se zvogëlon numrin e deputetëve shqiptarë që zgjidhen.

Duke lënë mënjanë, dy rastet e tjera, le të përqendrohemi te Maqedonia, ku në 11 dhjetor mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Gjatë ditëve të fushatës zgjedhore, çështja e numrit të partive ka qenë një temë e preferuar sidomos nga Ali Ahmeti i BDI-së, për arsye të kuptueshme. Fitues disa herë tashmë kundër PDSH-së, ai druhet se partitë e reja (apo të vogla), edhe nëse nuk e përmbysin mund t’ia ulin shumë peshën politike.

Sigurisht, nëse dëgjon fjalët e Ahmetit, ai nuk niset nga interesi partiak apo personal, por nga interesi kombëtar. Puna është se shqiptarët do të jenë më të dobët. Ai nuk do të kishte problem nëse humbte BDI-ja, nëse shqiptarët ruanin të njëjtin numër deputetësh në parlament.

Më brengos, sepse dobësohen shqiptarët. Unë gjithmonë kam thirrë partitë e vogla që të bëhen bashkë se të tilla bëhen më të forta dhe le ta fitonin Bashkimin Demokratik për Integrim! Dhe nuk është humbje për shqiptarët nëse do të humbte BDI-ja, por humbje do të jetë nëse shqiptarët humbin mandate, nëse përçahet vota shqiptare”, tha ai gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.

Ahmeti, madje shton se ai shpresonte që partitë e vogla do të bashkoheshin “me një program dhe nën një ombrellë” dhe u mërzit, kur e pa që nuk ndodhi. Tani çdo lexues serioz e di që ky është tym në ajër, se asnjë politikan, sado humanitar dhe i virtytshëm nuk uron bashkimin e kundërshtarit politik.

Aq më tepër që Ahmeti është arkitekt i sistemit të sotëm politik, në të cilin shqiptarët konkurrojnë vetëm kundër shqiptarëve dhe maqedonasve vetëm kundër maqedonasve. Kur partnerët në qeveri të BDI-së, social-demokratët maqedonas, humbën zgjedhjet parlamentare, Ahmeti vendosi të qëndrojë në pushtet me fituesin e ri kryeministrin Gruevski, duke treguar se bashkëqeverisja nuk ishte më çështje ideologjie, por thjesht një bashkëpunim mes dy partive fituese në komunitetet etnike përkatëse.

Mirëpo, përtej hipokrizisë së natyrshme, përtej hipokrizisë së natyrshme të çdo politikani (Ahmeti nuk është më i keq se pothuajse çdo politikan në këtë drejtim), kryetari i BDI-së ka të drejtë në parim. Sa më shumë parti, aq më pak deputetë, për shkak të copëzimit të elektoratit. Edhe nëse do të mbeteshin po aq deputetë, “shumë parti” përkthehet në më pak deputetë për partinë shqiptare fituese. Sa më pak deputetë në lojë, aq më pak fuqi negociuese në përparësitë e qeverisë.

Mirëpo, në praktikë, sa rol luan vërtet numri absolut i deputetëve shqiptarë?

Është për t’u shënuar se shqiptarët nuk do të jenë kurrë shumicë. Të paktën jo në të ardhmen e fërt. Rritja dhe pakësimi i numri të deputetëve nuk ndryshon dot statusin e pakicës etnike, duke bërë që realizimi i kërkesave më të rëndësishme kombëtare shqiptare në Maqedoni të mbeten në dorën e partisë fituese maqedonase.

Për këtë do të ishte ideale, nëse asnjë nga partitë maqedonase nuk do të arrinte shumicën në parlament dhe do të varej nga një prej partive shqiptare.

Mirëpo, këtu fillon problemi që ka shkaktuar vetë BDI që nga 2005, me ndërrimin e kaheve politikë që e përmenda më sipër.

Sikur BDI të kishte dalë në opozitë bashkë me LSDM-në, pasi kjo e fundit humbi zgjedhjet, atëherë VMRO do të detyrohej të bënte koalicion me PDSH-në sipas traditës. Mirëpo, BDI ndenji në pushtet, harroi partneren e vjetër dhe u lidh me VMRO-në.

Gabimi i kësaj lëvizjeje u duk pas zgjedhjeve të fundit, kur Gruevski fitoi përsëri. Kur pa se BDI po vendoste kushte kombëtare, atëhere ai kërcënoi se do të bënte koalicion me PDSH-në. Kundërshtare për jetë ndaj njëra-tjetrës, të dyja këto parti pranuan kushtet e Gruevskit për të hyrë në qeveri. BDI me më shumë deputetë fitoi besimin e tij, po me çfarë çmimi?

Sikur BDI të kishte qëndruar në linjën e saj fillestare ideologjike, partitë maqedonase nuk do të mund të luanin kështu me shqiptarët. Gruevski nuk do të kishte zgjidhje tjetër përveçse partneritetit me PDSH-në. Zaevi do të detyrohej t’i falej vetëm Ahmetit. Po tani ideologjia ka dalë nga dritarja. Për shqiptarët nuk ka rëndësi, se cila parti ul apo ngre taksat, se cila i kushton më shumë rëndësi asistencës sociale e se cila klimës së biznesit. PDSH e BDI duan të jenë në qeveri dhe pikë. Partia më e fortë shqiptare do të jetë në pushtet pavarësisht gjithçkaje, qoftë edhe me një deputet të vetëm.

Kjo mënyrë politike nuk i shërben shqiptarëve. Madje, ndryshe nga ç’mund të mendojë Gruevski, nuk i shërben as Maqedonisë.

Partitë shqiptare duhet të profilizohen. Të gjitha duhet të mbështesin Çështjen Kombëtare, demokracinë, paqen rajonale dhe integrimin në Perëndim. Por, përtej këtyre, të paktën njëra prej tyre duhet të kujdeset që bizneset të kenë mundësi të lulëzojnë e të fuqizohen, ndërsa të paktën një tjetër duhet të luftojë për të mbrojtur viktimat e padrejtësisë së tregut, të paragjykimeve dhe diskriminimeve të të gjitha llojeve. Nuk ka arsye pse çdo parti të mos kujdeset për të gjitha këto, po deri në një pikë. Udhëheqësit shqiptarë duhet të fillojnë të kristalizojnë pikëpamjet e tyre se çfarë shoqërie duan të ndërtojnë.

Pushteti nuk mund të jetë thjesht për të ndihmuar miqtë e partnerët me biznese dhe vende pune, për arsyen e thjeshtë se askush nuk mund t’i kënaqë të gjithë në këtë mënyrë dhe herët a vonë shumica e përjashtuar do të revoltohet e do të çohet për ta rrëzuar sistemin e përfitimeve.

Nëse Ahmeti nuk dëshiron të shohë daljen e partive si kërpudhat pas shiut, ai duhet ta fillojë duke e bërë BDI-në më demokratike, më të hapur ndaj pikëpamjeve të ndryshme dhe ndarjen e posteve e kontratave më meritokratike.

BDI ka merita të mëdha në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë, po Ahmeti mund ta ketë tejkaluar periudhën e mirënjohjes pa kushte. Nuk është vështirë të shihet se një pjesë e madhe e rinisë së vendit po kërkon heronj të tjerë dhe kauza të reja, nganjëherë në vendet e gabuara.

Nëse Gruevski do të fitojë gjithësesi dhe nëse era e ndryshimit nuk është edhe aq e fortë as mes shqiptarëve, ndoshta vërtet më mirë të ketë më shumë vende në parlament BDI sesa të shohim një mozaik partish të vogla që manipulohen lehtë nga maqedonasit. Po, Ahmeti duhet të kuptojë se nëse thërmimi i spektrit politik shqiptar nuk është thjesht rezultat i tekave dhe ambicjeve të aktorëve të rinj politikë. Të tillët nuk mungojnë kurrë në asnjë kohë e shoqëri. Mirëpo, ata kanë sukses vetëm kur udhëheqës jetëgjatë lënë hapësira boshe nga vetëbesimi se askush nuk mund t’i zëvendësojë apo konkurrojë.

Në një sistem të sabotuar në themel, numri absolut i deputetëve shqiptarë nuk luan më rol, nëse vota e tyre dorëzohet lehtë, jo për hir të parimeve, po nga mëria e luftës së brendshme. Çdo gjë tjetër është thjesht retorikë fushate.