Ruben Avxhiu: Më shumë se për një monument

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Protesta e shqiptarëve për heqjen e monumentit në Preshevë sapo ka nisur por ajo nuk është thjesht për një monument. Shqetësimi kryesor i shqiptarëve mbetet ai që Serbia tregoi se nuk ka ndryshuar shumë nga koha e Millosheviçit.

Në një kohë kur Serbia po troket me ngulm në dyert e Bashkimit Europian, ky akt periferik e tradhëton pretendimin se vendi ballkanik që nisi katër luftëra në vitet 90 tashmë është një shoqëri e reformuar që është gati t’i bashkohet civilizimit europian.

Hyrja në Bashkimin Europian duhet të jetë shpërblimi për një ndryshim rrënjësor të shoqërisë serbe. Çdo nxitim në këtë drejtim do të ishte fatal për Serbinë, rajonin dhe vetë BE-në.

Sot, 30 vite pas hyrjes në BE, Greqia vazhdon as që t’i njohë pakicat e saj etnike. Ky është tregues se në vendet ballkanike shoqëritë nuk kanë forca të mjaftueshme emancipuese për të vijuar trasformimin pa një mbështetje dhe kushtëzim nga Perëndimi.

Ajo që duhet të shqetësojë më shumë perëndimorët është që Serbia edhe në vitin 2013 përdor të njëjtat metoda veprimi si në kohën e Millosheviçit.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995, Slobodan Millosheviçi përfitoi nga kapitali politik që kishte fituar duke pranuar paqen në Bosnje për filluar dy linja të tjera abuzimi të pushtetit: shtypjen e opozitës serbe dhe shkatërrimin e rezistencës shqiptare në Kosovë. Millosheviçi e dinte se sa kohë që Bosnja do të mbetej e brishtë, ndërkombëtarët do ta mbyllnin një sy ndaj këtyre veprimeve.

Dhe ashtu ndodhi vërtet. Megjithë vjedhjen e votave, vrasjen dhe terrorizimin e kundërshtarëve të regjimit, vjedhjeve masive personale etj të klikës në fuqi, Perëndimorët u kursyen vetëm me disa deklarata të thata. Në mënyrë të tërthortë, Millosheviçi kishte “blerë” disa vite më shumë në pushtet duke “shitur” atë që kishte mbetur nga Bosnja serbe. Opozita serbe u përkrah me fjalë por SHBA dhe BE ishin më të interesuar që të shihnin çimentimin e paqes në rajon. Ata madje kishin shpresë se Millosheviçi do t’ua dorëzonte Karaxhiçin dhe Mladiçin.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Kosovën. Situata në terren u rëndua deri në masën sa të rinjtë kosovarë filluan të organizohen vetë për t’i rezistuar dhe për t’iu hakmarrë raprezaljeve të vazhdueshme të policisë dhe sigurimit serb. Po pavarësisht nga protestat e Perëndimit, sidomos nga diplomacia amerikane, në përgjithësi dukej se Kosova do të mbetej një çështje e brendshme e Serbisë.

E vetmja zgjidhje që shihnin Perëndimorët ishte hyrja e LDK-së në skenën politike jugosllave në mënyrë që nga bashkimi i votave të shqiptarëve me ato të opozitës serbe e malazeze të rrëzohej Millosheviçi në mënyrë demokratike. Ky plan naiv injoronte dy probleme. i pari që një diktator si ai nuk largohej me vota po vetëm me dhunë. (Historia tregoi se opozita serbe fitoi dy herë pa ndihmën e shqiptarëve dhe rezultatet u anuluan dhe pastaj u manipuluan – derisa Millosheviçi u rrëzua me dhunë në 2001). i dyti, që një pjesë e opozitës serbe ishin po aq nacionalistë, në mos më shumë nacionalistë se Millosheviçi dhe nga pikëpamja shqiptare ishte një investim i kotë.

Sot, gati dy dekada më vonë, kur në Perëndim besohet se kohët kanë ndryshuar dhe kur Serbia po kërkon një datë për fillimin e bisedimeve zyrtare për pranim në BE, ngjarjet në Preshevë kanë një ngjashmëri shqetësuese me këto më sipër të viteve 90.

Ivica Daçiç e di që ashtu si me Millosheviçin pas Bosnjës, Perëndimorët janë gati të mbyllin një sy për veprimet e tij në Preshevë, nëse bën disa lëshime në Kosovë. Ai e di se asnjë udhëheqës tjetër serb nuk ka treguar guximin e tij për t’u ulur në bisedime me Thaçin dhe Kosovën. Sipas një llogarie të thjeshtë, BE-ja nuk do që ta humbasë si partner dhe me mundësinë e parë që po i jepet ai po e shfrytëzon për të filluar një kthim mbrapa edhe të atyre arritjeve modeste të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përpjekja e tij për të mbajtur gjallë zellin e nacionalistëve ekstremë e duke i nxitur ata kundër Preshevës, ai ka dëshmuar se pavarësisht prej lëshimeve që pretendon se do të bëjë për të hyrë në BE, ai nuk ka aspak ndërmend të thyejë qerthullin e retorikës ncaionaliste serbe.

Ky nuk është udhëheqësi i një shoqërie të reformuar. Përkundrazi, ai përfaqëson pjesën më të shëmtuar të saj. Atë që synon hyrjen në BE, jo për t’u bërë pjesë e vlerave demokratike e civilizuese të kësaj familjeje kombesh, por për të siguruar mjetet politike e legjitimitetin e nevojshëm për të realizuar synimet e vjetra nacionaliste.

Daçiç për konçidencë dikur ka qenë zëdhënësi i Millosheviçit dhe mësimet e tij më të këqia duket se i mban mend mirë.

Shqiptarët kanë arsye të kenë shpresë dhe besim te rruga e historisë në të cilën ka hyrë Ballkani. Nëse dje, Sllobodani për inat të Bosnjes terrorizonte Kosovën, sot “Sloba i vogël” siç e thërrasin në Serbi ka një “shesh” më të vogël për lojën e tij të keqe të persekutimit etnik. Nacionalizmit serb po i ngushtohet laku, po sa kohë që ai ekziston, shqiptarët nuk duhet të pushojnë së deklaruari të vërtetat që dinë.

Nuk është çështja thjesht për një monument. Është mungesa e plotë e respektit dhe dëshirës për të kuptuar pakicën shqiptare që paralajmëron pasoja akoma më të këqia për Luginën e Preshevës.

13 vite më parë, luftëtarët e lirisë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit pranuan të lëshojnë armët duke i besuar premtimit të Perëndimorëve se pakica shqiptare do të trajtohej me dinjitet. Serbia pranoi me gëzim marrëveshjen dhe shpalli amnesti për luftarët shqiptarë.

Po serioziteti dhe ndryshimi i shtetit dhe shoqërisë serbe është testuar mirë në Luginë. Premtimet për standarde të drejtash nuk u mbajtën. As që bëhet fjalë për të krahasuar pakicën serbe në Kosovë me atë shqiptare në Serbi. Po a nuk janë njerëz në të dy anët e kufirit?

Premtimet për investime e fonde për zhvillimin e komunitetit dhe ruajtjen e identitetit u pakësuan pak nga pak. Sot Serbia shpenzon miliarda dollarë për pakicën serbe në Kosovë ndërsa përpiqet të spastrojë etnikisht Luginën me varfërim të detyruar.

Në fund filloi edhe anullimi i dyshemesë së marrëveshjesh, amnestisë. Së pari, ish-luftëtarë nga më të njohurit arrestohen dhe dënohen me një gjyq të montuar politikisht për disa krime gjoja të kryera në Gjilan, në kohën e luftë së Kosovës.

Tani vjen goditja e dytë, jo vetëm që hiqet monumenti, por kryeministri serb dhe shumë figura të njohura të shtetit e krahasojnë UÇPMB-në me AlKaidën. Kjo vë në dyshim të gjitha marrëveshjet e Serbisë edhe në letër. Serbia pyet se pse duhet të lejojë një monument terroristësh? Që pastaj sipas llogjikës do të sjellë pyetjet e tjera se pse të mos i arrestojë të gjithë shqiptarët që janë aktivë politikisht në Luginë me që janë “terroristë”? Pse duhet të njohë amnestinë ndaj një ushtrie “terroriste”.

Brenda pak kohësh, Serbia e ka shfrytëzuar kapitalin politik që po fiton në bisedimet me Kosovën për ta kthyer Preshevën në vitin 1999.

Ky nuk është një vend që meriton të hyjë në BE. Ky është një vend që në rastin më të parë që i jepet mundësia i rikthehet psikozës nacionaliste të viteve 90. Një vend që nuk ka mësuar asgjë nga historia përveçse nënshtrimit të përkohshëm në pritje të një kohe më të përshtatshme raportesh fuqie.

Shqiptarët duhet ta thonë fjalën e tyre jo për hir të një monumenti. Mund të ngremë 100 të tjerë, 100 herë më të bukur. Por për të nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të shoqërisë serbe. Të pareformuar ashtu siç është, një kërcënim për paqen dhe qendrueshmërinë në Ballkan. Një kërcënim në fund të fundit edhe për liberalët e vërtetë serbë, për fqinjët e tjerë në Ballkan dhe për vite të tëra investimesh njerëzore, financiare e politike të Perëndimit e komunitetit ndërkombëtar në këtë rajon.