Mediu dorëzon rezolutë në Kuvend për rrezikun e ringjalljes së luftës në Ballkan

Kryetari republikan Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, tha se është shqetësuese gjendja ballkanike për shkak të rritjes së tensioneve ndëretnike

Knid Ndrenika

Partia Republikane opozitare në Shqipëri dorëzoi një projektrezolutë për miratim Kuvendit për rrezikshmërinë e rikthimit të luftërave në Ballkan dhe vëmendjen e shtuar për Kosovën shkak i sjelljes së Serbisë.

Kryetari republikan deputeti Fatmir Mediu tha se projektrezoluta është për raport me zhvillimet e fundit në rajon.

Projektrezoluta thotë se Kuvendi duhet të vendosë që si anëtare e përkohshme në dy vitet e ardhshme në OKB-së, Shqipëria të përcaktojë objektivat për rajonin dhe Kosovën dhe gjithashtu që të shtohet mbështetja për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Është një situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi të gjithë në një zë, një qëndrim dhe një frymë bashkëpunimi”-tha ai.

Zoti Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes, tha se është shqetësuese gjendja ballkanike për shkak të rritjes së tensioneve ndëretnike.

Në projekt theksohet që të miratohet nga Kuvendi kjo rezolutë duke ndjekur rritjen e tensioneve ndëretnike me rrezikshmëri të lartë në Ballkan, për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të saj

“Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga PE, Republika Srpska për t’u shkëputur nga Bosnja, që çon në shembjen e marrëveshjes së Paqes së 1995, duke i parë të ndërlidhura narrativat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, shpresoj dhe besoj se nuk jemi në prag lufte, por Shqipëria duhet të marrë hapat parandalues. Si vend anëtar në NATO, duhet ta shtrojmë në NATO këtë çështje”-shtoi zoti Mediu.

PROJEKTREZOLUTA

Duke ndjekur me vëmendje të veçantë rritjen e tensioneve ndëretnike në rajonin tonë, tensione me rrezikshmëri të lartë për ringjalljen e konflikteve të përgjakshme, të cilat janë në thelb të lidhura me politikën e Serbisë ndaj fqinjëve të vet, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi;

Duke u bashkuar me shqetësimin e shprehur nga Parlamenti Europian, Kongresi Amerikan, Parlamenti Britanik, nga disa qeveri të vendeve europiane dhe shumë analistë seriozë në Europë e në SHBA, shqetësim i mbështetur sidomos në përpjekjet e fundit të Republika Srbska, për t’u shkëputur nga BiH, gjë që po çon, sipas vlerësimit të përfaqësuesit të lartë të BE-së në BiH, Christian Schmidt, në shembjen e marrëveshjes së paqes, nënshkruar në Dejton në vitin 1995, me ndërmjetësimin e SHBA;

 
 

Duke i parë të ndërlidhura narrativat destabilizuese të Presidentit Vucic dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit serb, me ndërhyrjet e hapura për të penguar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me tentativat e Republika Srbska për të krijuar ushtrinë e saj, jashtë kontrollit kushtetues të Sarajevës, deklarimet për shkëputje nga BiH, situatën e paqëndrueshme politike në Maqedoninë e Veriut, si dhe me dislokimin e kohëve të fundit të ushtrisë serbe në kufi me Republikën e Kosovës, gjë që e shtyu Kryeministrin Kurti të paralajmëronte se rajoni po shkonte drejt një konflikti të armatosur;

Duke parë gjithashtu se kjo tablo shqetësuese është e ndërlidhur ngushtë me intensifikimin e shumëfishtë të pranisë Ruse në rajonin tonë, në zbatim të deklaratës së Presidentit Putin, se “Ballkani është një back yard i Rusisë”, gjë që në realitet po kryhet përmes mbështetjes ndaj Serisë, për ta shndërruar atë në fuqi dominuese në Ballkanin Perëndimor, si rrugë për ta rritur presionin mbi Uashingtonin dhe Brukselin;

 

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi:
1. Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.

2. Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ta shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe ta bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.

3. I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.

4. Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.

5. Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.

Comment

*