Mehaj: Kosova është vendi më pro-NATO-s dhe BE-së në rajon

Prishtinë, 15 dhjetor 2021Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka  thënë se Kosova është vendi më pro NATO-s dhe më pro Bashkimit Evropian në rajon.

“Republika e Kosovës me ndihmën dhe mbështetjen e vendeve mike, është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo është arsyeja pse, përkundër propagandës së ashpër anti-perëndimore dhe dezinformatave, Kosova është ende vendi më pro NATO-s dhe BE-së në rajon. Kjo është arsyeja pse Kosova sot është plotësisht e përkushtuar për të demonstruar solidaritetin e saj dhe për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”, ka thënë ministri Mehaj, të mërkurën, në konferencën virtuale të ministrave të Mbrojtjes të Organizatës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore (CEDC).

Mehaj ka folur për angazhimin e tij në zbatimin e konceptit “Smart Defense” në rajon, si formë shumë efikase e reagimit ndaj kërcënimevedhe e menaxhimit të krizave që mund të cenojnë sigurinë e vendeve të rajonit.

Në konferencën e CEDC, e cila është kryesuar nga ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Mario Banozic, kame marrë pjesë ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të CEDC: Austrisë, Republikës Çeke, Sllovakisë, Hungarisë e Sllovenisë, si edhe të vendeve që e kanë statusin e vëzhguesit në CEDC: Polonisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë).

(r.m.)