Mehmeti: Hetimet rreth vrasjes së trefishtë në Gllogjan nuk kanë përfunduar ende

Prishtinë, 24 dhjetor 2021 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka deklaruar se hetimet lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit nuk kanë përfunduar ende.

“Sa i përket rastit të fundit në Gllogjan ne kemi bërë angazhimet tona. Aktualisht jemi duke punuar, për këtë rast kemi edhe arrestime. Hetimet ende nuk janë në fazën përfundimtare”,ka thënë Mehmeti të premten, gjatë raportimit para Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës.

Mehmeti ka thënë se policia është duke i pritur edhe disa rezultate të analizave që  janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit.

“Hetimet janë ende në një fazë të caktuar, s’mund të themi në fazën fillestare, por ka progress. Jemi duke i pritur edhe disa ekspertiza të cilat i kemi dërguar jashtë vendit, jemi duke i pritur rezultatet. Po ashtu janë duke u pritur edhe disa rezultate të tjera, të cilat ndërlidhen me çështjet e ndryshme teknike”, ka shtuar ai.

“Aktualisht mendoj që kemi kryer një pjesë të punës rreth këtij rasti, mirëpo mbetet ende për të punuar”, ka theksuar Mehmeti.

Më 26 nëntor, rreth orës 21:30, në Gllogjan të Deçanit, në një sulm të armatosur ndaj autobusit që po vinte nga Gjakova, mbetën të vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës që gjendeshin në autobus.

Lidhur me këtë rast, më 11 dhjetor janë arrestuar tre persona të dyshuar, babai me dy djemtë e tij, të cilëve u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

(r.m.)

Comment

*