Memli Krasniqi në SHBA, mori pjesë në forumin e Kongresit mbi ndikimet e agresionit  rus ndaj Ukrainës

Uashington, 31 janar 2023 – Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka filluar sot (e martë) vizitën zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka marrë pjesë në një forum në Kongresin Amerikan.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka njoftuar se ai ka qenë i ftuar në forumin me temën “Si t’i kundërpërgjigjemi agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimit dashakeq të Kinës në Evropë”, të organizuar nga kongresmenët Robert B. Aderholt dhe Pete Sessions.

“Në prezencë të shumë kongresmenëve amerikanë, me zyrtarë nga të gjitha shtetet e rajonit, por edhe nga Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia, shtetet baltike dhe të tjera që janë nën kërcënimin direkt rus, diskutuam për qëndrimet tona në lidhje me zhvillimet aktuale gjeopolitike. Bashkëpunimi i mirëfilltë rajonal dhe mbarë-evropian, politik e ushtarak, në koordinim të plotë me SHBA-të, është i domosdoshëm për ruajtjen e sigurisë në vendet tona dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë për të gjithë”, është shprehur lideri i PDK-së.

Në këtë forum kanë marrë pjesë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradainaj dher deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Abdullah Hoti.

Forumi “Si t’i kundërpërgjigjemi agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimit dashakeq të Kinës në Evropë” u moderua nga Fatmir Mediu, deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

(r.m.)