“Memorandum Mirëkuptimi” për projektet TAP dhe IAP

Nënshkruhet ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi, Bonje Hercegovinës dhe Kroacisë për mbështetje dhe bashkëpunim në realizimin e projekteve

 

Në prani të Kryeministrit Sali Berisha u nënshkrua dje pasdite në Tiranë “Memorandumi i Mirëkuptimit” ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi, Bonje Hercegovinës dhe Republikës së Kroacisë, lidhur me mbështetjen dhe bashkëpunimin e vendeve respektive në realizimin e projektit “Gazsjellësi Trans Adriatik”-TAP dhe të projektit “Gazsjellësi Jonian-Adriatik”-IAP.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, zoti Aldo Bumçi, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Evropian i Malit të Zi, zoti Igor Lukshiç, nga Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje Hercegovinës, zoti Zlatko Lagumdzija dhe nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kroacisë, zoti Joshko Klisoviç.
Palët nënshkruese, duke vepruar brenda kuadrit të detyrimeve të traktateve ekzistuese në fushën e energjisë, përfshirë Kartën e Traktatit të Energjisë dhe Traktatin Themelues të Komunitetit të Energjisë të Evropës Jug-lindore, me firmosjen e këtij dokumenti mundësojnë ndërlidhjen midis Projektit TAP dhe Projektit IAP. Një veprim i tillë mundëson që gazi natyror i prodhuar në Republikën e Azerbajxhanit, rajonin e Kaspikut dhe më gjerë të furnizojë Evropën Juglindore, duke rritur besueshmërinë dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, si ambasadori i SHBA-ve z. Aleksandër Arvizu, ambasadori i BE-së në Tiranë z. Ettore Sequi, ambasadori i Turqisë në Tiranë z. Hasan S. Aşan, ambasadori i Italisë në Tiranë z. Massimo Gaiani, ambasadorin e Greqisë në Tiranë z. Nicolas Pazios, ambasadori i Azerbajxhanit për Shqipërinë z. Rahman Mustafayev, Ambasadorin e Konfederatës Zvicerane në Tiranë, z. Alexander Wittwer, ambasadori kroat, ambasadori i Malit të Zi, ambasadori i Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë z. Flamur Gashi, si dhe të ftuar të tjerë.