Merkel: Serbia s’mund të hyjë në BE pa arritjen e marrëveshjes me Kosovën

Beograd, 13 shtator 2021 – Marrëdhëniet me Kosovës e Serbisë kanë qenë ndër temat e diskutimit në takimin e Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel, me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Beograd.

Pas takimit, në konferencën për medie, Kancelarja Merkel nuk ka thënë shprehimisht se njohja e Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisënë Bashkimin Evropian, por ka bërë të qartë se Serbia duhet t’i zgjidhë “të gjitha çështjet”.

“Ka çështje që zgjidhen vetëm në fund të një procesi. Të gjithë e dinë që Kosova nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE -së. E parë nga perspektiva evropiane, kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë që anëtarët e BE-së të pajtohen për procesin e pranimit. Patjetër që nuk ka kuptim të flasim gjithmonë për problemin e fundit para se problemet e tjera të mos zgjidhen”, ka thënë Merkel.

“Unë jam politikane pragmatike dhe nuk dua të flas për fundin e procesit derisa të zgjidhen të gjitha çështjet”, ka shtuar ajo.

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se ai e di se njohja e Kosovës është kusht për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe ka theksuar se Serbia synon më së mari një marrëveshje me Kosovën “për qarkullim të lirë”.

“Ne e dijmë mirë se kusht për hyrje në Bashkimin Evropian është zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe këtë ne nuk e fshehim. Serbia e ka Kushtetutën e saj, ashtu sikundër Kosova thirret në të veten, por ne dëshirojmë më së pari t’i rregullojmë marrëdhëniet tona, qarkullimin e lirë të njerëve, mallrave dhe kapitalit”, është shprehur Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut me Kosovën dhe ka përsëritur frazën e tij tashmë të njohur “zgjidhje kompromisi”.

“I thashë kancelares se Serbia është e përkushtuar ndaj dialogut dhe se Serbia beson se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhje e mirë dhe se ne do të jemi gjithmonë të hapur për një zgjidhje kompromisi”, ka thënë ai.

Kancelarja Merkel ka theksyar se është interes gjeo-strategjik i Bashkimit Evropian përfshirja në bllok e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne që tashmë jemi anëtarë të Bashkimit Evropian duhet të kujtojmë gjithmonë se është me interes absolut gjeo-strategjik për ne që t’i bëjmë këto vende (të Ballkanit Perëndimor) anëtarë të BE-së”, ka thënë Merkel.

“Procesi i Berlinit” ka qenë gjithashtu gjithashtu njëra prej temave kryesore në takimin Merkel – Vuçiq.

“Procesi i Berlinit nuk duhet të zëvendësojë procesin e anëtarësimit (në Bashkimin Evropian), por të krijojë lidhje midis pjesëve të ndryshme të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur zonja Merkel.

E pyetur nëse nisma “Ballkani i Hapur” është nismë paralele me “Procesin e Berlinit”, Merkel ka thënë se asnjë proces nuk e zëvendëson procesin e integrimit evropian. Por, ajo ka theksuar se dëshiron që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë  pjesë e procesit.

“Dëshirë përfundimtare është që në process të marrin pjesë të gjitha gjashtë vendete rajonit”, është shprehur zonja Merkel.

Presidenti serb ka thënë se pas një muaji do të fillojnë punimet në ndërtimin e autostratës Nish – Prishtinë dhe meritat për këtë projekt ia ka njohur kancelares Merkel.

“Ky është rezultat i politikës që e kaudhëhequr kancelarja Merkel dhe unë e falënderoj për këtë”, ka thënë Vuçiq.

Kancelarja Merkel do të udhëtojë nga Beogradi në Tiranë. Të mërkurën ajo do të takojë atje kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

(r.m.)

Comment

*