Mesazh nga SHBA për popullin shqiptar në 13 maj 1951

Faqe nga historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane

Frank Shkreli

Ishte viti 13 maji i Vitit 1951. Lufta e dytë Botërore kishte marrë fund më 1945. Por Lufta e Ftohtë që filloi menjëherë pas mabrimit të Luftës së dytë botërore ishte në ashpërsim e sipër midis dy blloqeve kundërshtare — Perëndimit demokratik të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindjes komuniste të udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Ishte një luftë kjo që zhvillohej në të gjitha sferat e jetës, përfshirë edhe median. Në këtë frymë acarimesh dhe kërcënimesh në marrëdhënjet ndërkombëtare, mosbesimi midis palëve ishte i thellë. Pjesë e kësaj lufte ishte edhe roli i medias, sidomos i radio transmetimeve ndërkombëtare të kohës, të cilat përcillnin programet përtej oqeaneve, fillimisht, kryesisht nepërmjet valëve të shkurtëra.

Në këtë atmosferë tensionesh, më 13 Maj, 1951 rifillon radio transmetimet edhe Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, transmetime të cilat kishin filluar më 1943, por që ishin ndëprerë më 1945. Ishte ky një rifillim i shërbimit shqip të VOA – 70-vjetori i të cilit u festua vitin që kaloi — i cili qe inaugurua me një mesazh të posaçëm drejtuar popullit shqiptar nga Sekretari amerikan i Shtetit në atë kohë, Dean Acheson. Ishte ky një mesazh i ngrohtë i cili ritheksonte miqësinë tradicionale dhe të herëshme midis popullit amerikan dhe popullit shqiptar, mesazh ky i cili përsëritej shpesh, pothuaj çdo vit, nga zyrtarë të lartë amerikanë, megjithë vrerin anti-amerikan që vinte nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Mesazhi i Dean Acheson-it më ra në dorë nga miku im Albert Lulushi, i cili e kishte zbuluar atë në arkivat amerikane ndërsa po bënte hulumtime për librin e tij me titull, “Operation Valuable Fiend”, ose në shqip, “Operacioni kundërshtari i dobishëm”, i cili do botohet muajin që vjen.

Megjithëse ishte kulmi i Luftës së Ftohtë, mesazhi i ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, Dean Acheson, për nga theksi i miqësisë amerikano-shqiptare, nuk ndryshon as nga deklaratat e mëparshme as nga ato të ditëve të sotme të zyrtarëve amerikane, gjë që le të nënkuptohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur dhe kanë vazhduar të kenë një politikë pro-shqiptare, konsekuente megjithë armiqësinë e regjimit komunist të Tiranës, për pothuaj një gjysëm shekulli ndaj Shteteve të Bashkuara. Andaj ia vlenë të sillet në vëmendjen e lexuesit në këtë përvjetor të kësaj deklarate që ishte bërë në kulmin e periudhës më të errët, të marrëdhënjeve midis dy vendeve.

Pason mesazhi i Dean Acheson drejtuar popullit shqiptar me rastin e rifillimit të transmetimeve të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, me 13 Maj, 1951.

“Është një kënaqsi e madhe për mua që me këtë rast t’i dërgoj një mesazh popullit shqiptar në emër të Qeverisë dhe të popullit të Shteteve të Bashkuara. Me rihapjen e programeve të Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan edhe njëherë shprehin interesimin e tyre tradicional për popullin shqiptar. Lidhja midis nesh, po ripohohet; miqësia e jonë e herëshme do të marrë fuqi dhe rëndësi të re. Kjo miqësi është një rezultat i natyrshëm i identifikimit të Shteteve të Bashkuara me përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Gjatë viteve, Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan i kanë konsideruar këto përpjekje me simpati dhe mbështetje, duke ditur se ato pasqyrojnë aspiratat e juaja të vërteta.

Që prej Konferencës së Versajës më 1919, kur Presidenti Woodrow Wilson mori përsipër duke treguar interesimin e tij personal për ri-vendosjen e një Shqipërie të pavarur, Qeveria e Shteteve e të Bashkuara ka mbështetur përpjekjet e patriotëve Shqiptarë.

Gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar marrëdhënje të ngushta dhe miqësore me popullin Shqiptar. Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar institucionet humanitare dhe arsimore private, siç janë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për të Rinjtë, Fondacioni për Lindjen e Afërt dhe Fondacioni Rockefeller, për të ndihmuar shqiptarët në përpjekjet e tyre në themelimin dhe në zhvillimin e institucioneve të veta. Shtetet e Bashkuara ishin të parat nga fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore, të cilat bënë deklaratën e parë zyrtare për rivendosjen e një Shqipërie të lirë, duke deklaruar se një gjë e tillë ishte në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Por kjo tani është pjesë e historisë, e së kaluarës suaj. Tani e tutje, Zëri i Amerikës do t’u flasë juve mbi të tashmen dhe mbi të adhmen. Tani për tani, ju e dini më mirë se unë se shpresat e juaja për një vend të lirë dhe sovran, nuk janë realizuar. Me qëllim për t’u ndihmuar që të realizoni një të ardhme për veten tuaj, si një vend i lirë dhe i pavarur dhe anëtar i komunitetit të kombeve, Shtetet e Bashkuara, nepërmjet kësaj radioje do ju sjellë mjetet ose instrumentet për të gjykuar dhe vlerësuar gjërat — dmth, faktet. Zëri i Amerikës do ju sjellë atë që u është mohuar për një kohë të gjatë — të vërtetën nga bota e lirë. Me këtë rast, Qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe populli amerikan u dërgojnë përshëndetjet e tyre dhe Zëri i Amerikës u dëshiron mirëseardhjen në radhët e dëgjuesve të tij.”

Ky mesazh nga ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Dean Acheson pasqyron ndjenjat miqësore, simpatinë dhe mirëkuptimin që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë treguar gjatë dekadave për aspiratat e kombit shqiptar për një ekzistencë kombëtare të lirë dhe të pavarur. Janë këto aspirata të ngulitura thellë në traditën dhe psikozën amerikane, por njëkohësisht janë edhe pjesë e idealeve universale për liri e demokraci dhe njëherazi janë edhe burimi i qytetërimit perëndimor të shqiptarëve. Andaj, gjatë dekadave të regjimit komunist në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë, pritshin me ankth dhe me shpresë ditën kur Shqipëria dhe kombi shqiptar do të jetonte në liri, i zoti dhe i lirë për të vendosur vet fatin e tij. Por fatkeqsisht, ndaj këtyre deklaratave miqësore, nuk kishte asnjë inkurajim për normalizimin e marrëdhënjeve shqiptaro-amerikane nga qeveria komuniste shqiptare e asaj kohe. Përkundrazi, vihej re se pas deklaratave miqësore për popullin shqiptar nga Shtetet e Bashkuara, propaganda anti-amerikane nga regjimi enverist sa vinte e ashpërsohej si për nga cilësia e inatit ashtu edhe nga niveli i urrejtjes ndaj Amerikës. Por sidoqoftë, Shqipëria dhe Shqiptarët sot janë ndër popujt më pro-amerikanë, ashtuqë më në fund, vizioni i Dean Acheson-it më 1951 — për “një Shqipëri të lirë e të pavarur, anëtare e komunitetit të kombeve”, sot anëtare e NATO-s — është bërë realitet dhe roli që ka luajtur Zëri i Amerikës në realizimin e këtij vizioni ishte i konsiderueshëm, sepse sipas Dean Achesonit, VOA gjatë 70-vjetë histori, u solli shqiptarëve të vërtetën dhe faktet, si mjetet dhe instrumentet e nevojshme për të vlerësuar dhe gjykuar drejt.