Mesazhi i Berishës, në prag të referendumit për shkarkimin e Bashës

Tiranë, 17 dhjetor 2021 – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u është drejtuar me një mesazh komisionerëve dhe anëtafrësisë së PD-së në prah të referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës nga pozita e kryetarit të PD-së, të thirrur me vendim të Kuvendit Kombëtar të partisë, të mbajtur të shtunën e kaluar, me ftesë të Berishës e të mbështetësve të tij.

Berisha kërkon që të gjithë komisionerët të bëjnë përpjekje maksimale që të sigurohet pjesëmarrja në referendum e të gjitha anëtarëve të PD-së.

Ai thekson se në këtë referendum është jetike vota e lirë.

“Drejtuar komisionerëve të Referendumit të Shpresës. Një përshendetje të përzemërt të gjithë ju komisionereve dhe komisionerëve te qendrave te votimit. Këto orë që na ndajnë nga hapja e qendrave të votimit le të bëjmë përpjekjet me maksimale që të sigurojmë pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike në votim. Për ne, rëndësi përcaktuese dhe absolute në këtë festival të votës së lirë ka mbi të gjitha, transparenca e procesit dhe administrimi me korrektesë absolute i  çdo vote. Në këtë referendum jetike është vota e lirë e anëtarësisë të PD! Suksese”, shkruan Berisha.

Referendumi për shkarkimin e Bashës mbahet të shtunën.

Po të shtunën mbahet edhe Kuvendi Kombëtar i thirrur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, dhe Këshilli Drejtues i PD-së, i cili është shkarkuar nga Kuvendi i gtë shtunës së kaluar i cilësuar si “Kuvendi i Berishës”.

(r.m.)