Mësimi i shqipes, në diasporë: Seminari i tretë me pjesëmarrje nga tre kontinente

Seminari i tretë “Arritje dhe perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë” me organizatore dhe iniciuese Shkollën “Children of the eagle”, Albanian American Dual Language and Culture” me themeluese dhe drejtuese Drita Gjongecaj, u zhvillua përmes një pjesmarrjeje të larmishme nga SHBA, Europa dhe Azia, shpalosje punimesh shkencore, mesazhe të fuqishme, diskutime dhe dialogje mjaft efektive në paraditen e 12 shtatorit 2020.
Ky seminar, tashmë është shndërruar në një traditë ku mësues e studjues, shoqata, shkolla dhe individë shkëmbejnë përvoja e mendime duke pasuruar dhe zgjeruar njohuritë e të interesuarve rreth mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë.
Zonja Drita Gjongecaj e çeli seminarin e tretë shkencor duke prezantuar dhe tri panelet mbi të cilat është konceptuar ky takim i radhës ku dukshëm bie në sy interesimi në rritje për gjuhën dhe historinë tonë kombëtare si tipare që ruajnë identitetin tonë në vendet ku jetojmë e ku jetojnë shqiptarët.
Diplomati Mal Berisha, studjues dhe historian trajtoi disa momente nga shkollat shqipe në Londër dhe rolin që luajti ai si përfaqsues i shtetit shqiptar në krye të Ambasadës Shqiptare në atje.
Faktet që renditi ambasador Berisha mbi përfshirjen e gjuhës shqipe ndër 400 gjuhët kryesore të botës, apo admirimin e Robert Elsies ndaj Shqipërisë sapo ai kishte rënë në kontakt me gjuhën shqipe, natyrshëm shërbyen si mesazhe nxitëse e frymëzuese për më shumë vemendje e kujdesje ndaj gjuhês dhe kulturês tonë. Zoti Berisha solli rastin e versionit Aoudiobooks.al si një mundësi e re e dëgjimit të rreth 100 librave në gjuhën shqipe si një alternativë e re teknologjike që i afron shqiptarët me gjuhën shqipe. Mjaft emocionues ishin vargjet e Fishtës dhe Mjedës me të cilat ambasador Berisha mbylli fjalën e tij përshëndetëse.
Zoti Frank Shkreli, studjues dhe gazetar, ish drejtor i Zërit të Amerikës për Euro Azinë përshëndeti seminarin duke falenderuar organizatorët si dhe të gjithë protagonistët që po vazhdojnë përpjekjet e Martin Camajt dhe Ernest Koliqit mbi ruajtjen e gjuhës shqipe në emigrim si dhe zgjerimin e përdorimit të saj nga shqiptarët që jetojnë jasht territoreve shqiptare. Ai i bën thirrje përmes këtij seminari, përfaqsuesve të shteteve tona përmes Ambasadave respektive për më shumë suport dhe kontribute në përmbushje të misionit patriotik që ka në thelb ruajtjen e gjuhës dhe kulturës si shpirti i kombësisë.
Doktor Azeta Kola pjesë e panelit të punimeve shkencore solli një prezantim mjaft të thelluar mbi kulturën dhe lidhjet e saj me gjuhën. Propozimi i saj për shpalljen e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare si pjesë e trashëgimnisë botërore, natyrisht që mbetet si një tezë interesante e këtij prezantimi.
Enela Shehu Markja nga Shkolla LAPSH Bavari bëri njē prezantim të larmishëm mbi rolin e toponimeve dhe vendosjes së emrave të tyre nga shqiptarët kryesisht atyre që u mungon atdheu, një lidhje kjo tipike, autentike shqiptare. Me shumë interes u ndoq prezantimi i saj rreth Valbonës, vendndodhjes, luginave, dhe vendeve pêrreth saj.
Dr Arjeta Ferlushkaj trajtoi sfidat e bilingualizmit, roli i reduktuar i shkollës, familja dhe i tërë rrethi social që kushtëzon dhe favorizon të nxënit përmes kulturës.
Marjana Bulku mbylli prezantimet e panelit mbi tematika e faktorë që rrisin efektivitetin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë me temën “Rrjetëzimi i shkollave shqipe si mjet për intesifikimin e mësimit të gjuhës shqipe, kulturës dhe historisë tonë”
Paneli i specialistëve të arsimit u karakterizua nga larmia metodike, punime praktike e aplikacione mjaft tërheqëse për çdo grup-moshë; Mësuese Holta Ahmataj, Arjana Kurti nga shkolla “Children of the eagle” përmes mjeshtërisë metodike paraqitën disa momente konkrete të punës me nxënësit e shkollës së tyre.
Mirjana Lukiç edhe pse e larguar nga atdheu 48 vjet më parë e ka ruajtur mrekullishtgjuhën shqipe dhe në prezantimin e vet shpjegon disa nga metodat dhe teknikat se si të bëhet e kuptueshme gjuha për fillestarët.
I larmishëm dhe interaktiv ishte prezantimi i Alban Bibës mbi mësimdhënien përmes teknologjisë.
Pjesë e seminarit të tretë shkencor u bë edhe qendra kulturore dhe shkolla Vatra Belgjikē me pjesmarrjen e Ahmet Gjanaj (ish deputet në parlamentin belg) dhe Ibrahim Dizdarit të cilët sollēn përvojat dhe arritjet e tyre të cilat u ndoqën me shumë Interes nga ndjekësit e shumtë virtualë.
Melazim Ukaj solli rastin e LAPSH-it si një përvojë që tashmë ka bërë histori suksesi në disa vende të Evropës dhe përmes këtij seminari vjen edhe në SHBA.
Bujar gjoka nga shkolla Filadelfia, solli nē informacion të larmishëm e të zgjeruar ilustrativ që u ndoq me interesim nga dëgjuesit.
Mësuesja Rudina Bani përgjegjêse e departamentit të edukimit Gjuha jonë, Filadelfia, trajtoi probleme e dha alternativa bazuar nga përvoja e saj e gjatë në mësimdhënie.
Nuk mungoi as prezenca e komunitetit të prindërve në këtë seminar, ishte Rodlind Purrini i cili tregoi interesin si prind, roli i të cilëve është shumë i madh në proçesin e ruajtjes së gjuhës shqipe në Diasporë. Mësuese Gonxhja dha mjaft detaje nga puna e saj me fēmijet qe mesojnë gjuhën shqipe në Amerikë, vështirësitë dhe objektivat. Me emocione të veçanta u ndoq mësuese Valdete Cenallia e cila e sheh edukimin e gjuhês si një cilësi e trashëguar nga ati i saj të cilin ajo e citoi me dashuri.
Seminari i tretë shkencor “Arritje e perspektiva të mësimit të gjuhës shqipe në diasporë“ u mbyll me propozime e diskutime të shumta dhe të vlefshme jasht paneleve të planifikuara në axhendë çka dëshmoi domosdoshmërinë e kësaj veprimtarie dhe padyshim suksesin e saj.

Marjana Bulku

Nju Jork