Mësuesi është një absolut

Nga Elvis Hoxha

Profesioni im është mësimdhënës i filozofisë dhe shumë prej qëndrimeve të mi metafizikë dhe politikë janë ndërtuar mbi filozofinë e Platonit dhe Kantit. Ndoshta janë këta dy filozofë ata që kanë folur më shumë për virtytin publik të mendjes dhe punës.

Dy ditë më parë shkrova në një tekst të shkurtër diçka të thjeshtë mbi substancën dhe qëllimin e shkollës, nxënësin. Po aty thashë se mësuesi, me dashjen apo pa dashjen e tij, për shkak të rrënimit të institucionit arsimor dhe ndërhyrjes së pushtetit në zgjedhjen e stafeve, është shndërruar në një “i punësuar” i çfarëdoshëm, pra e ka humbur vetëdijen e profesionit të vet. Natyrisht që pati injorantë që me komentet e tyre më thanë se po i denigroja përsëri mësuesit. Unë vij nga një familje ku ka patur shumë mësues dhe inxhinierë. Gjyshi ka qenë mësues matematike dhe i gjuhës frënge, xhaxhai mësues i kimisë, nëna ime mësuese e gjeografisë dhe historisë, për të mos u shtrirë më tej në familjen e gjerë. Dhe unë vetë jam mësues. Por fakti që jam mësues nuk përbën argument se jam mbrojtës i statusit të mësuesit.

Më shumë se përkatësia ime me profesionin është natyra pubike e profesionit që më shtyn ta mbrojë mësuesin. Por mbrojtja ime ka të bëjë me virtytin e profesionit, me prestigjin e tij dhe jo me pagën.

Mësuesi ka për mision të transmetojë dije. Këtë e dimë të gjithë. Por harrojmë se na fakt ai ka për funksion të transmetojë dije publike. Ndaj dhe harrojmë se mësuesi ka për funksion të zbulojë, nxisë, madje dhe të prodhojë inteligjencën e nxënësit. Inteligjenca ëshët vetia që e vendos nxënësin në koherencën me dijen publike të arkivuar të njerëzimit.

Nga na tjetër harrojmë se prodhimi i inteligjencës është një veprim i pabashkëmatshëm. Një mësues i aftë në profesion dhe në pedagogji mund të sjellë në bankën e inteligjencës së kombit me mijëra njerëz “të zgjuar”. Le ta dëgjojmë këtë fjalë të fundit siç e thotë shqipja. Ne themi në shqip “i zgjuar” sepse pranojmë se çdo njeri është ai aftë në inteligjencë, por duhet ta zgjojë këtë inteligjencë. Mendoni mësuesin e shkollës fillore që ju ka mbetur në mendje. Sa prej nesh thonë shprehjen: “Falë atij mësuesi pëlqeva lëndën e …”. A mund të dijë njeri se ç’pagë meriton një mësues që ka zgjuar te nxënësit e tij, në breza të tërë nxënësish bukurinë dhe dashurinë për inteligjencën e një lënde të caktuar. Mendoni pas kësaj edhe ata mësues që i kanë fjetur ndjenjën e zellit të dijes kushedi sa nxënësve.

Pra, zgjimi i inteligjencës në një fëmijë, rënia e fëmijës në dashuri me inteligjencën specifike të një lënde, domethënë rënia e fëmijës në dashuri me inteligjencën e vet specifike publike, të cilën ne e quajmë pasion, pra zgjimi i pasionit është misioni i mësuesit. Dhe kur mësuesi e kryen këtë gjë shumë mirë, ai bëhet “i paçmueshëm”. Në shqip, “i paçmueshëm”, pra pa çmim, do të thotë se paga që duhet t’i japim mësuesit, po të ishim vendosur në një marrëdhënie private me të, është sa kontributi që i ka dhënë kombit me sasinë e inteligjencave individuale që ka vënë në veprim. I paçmueshëm do të thotë se nuk mund të përkthet në çmim ose se ne nuk disponojmë një sasi të pafundme në monedhe: vlera e tij monetare është 0 ose ꚙ, zero ose e pafundme, prestigj apo monedhë.

Duke ditur se nuk mund të vendosim një dallim të tillë, arsimi publik nuk ka përcaktuar hierarki pagash mes lëndëve të ndryshme dhe as mes cilësisë së mësuesve të ndryshëm. Ai e ka vendosur në ndërgjegjen e mësuesit matësin e vetëm të dashurisë për profesionin dhe për aftësimin e tij pedagogjik. Këtë e ka bërë së pari për të mos vendosur një dallim në monedhë mes mësuesit të mirë e të dobët, pasi nuk mund të kthejë sistemin publik në privat, e as të bëjë dallim mes inteligjencave të ndryshme të njeriut. Për kombin kanë po të njëjtën rëndësi aftësia abstrakte e matematikës dhe ajo konkrete e fizikës, aftësia poetike e letërsisë dhe ajo standarte e gjuhës, ajo manuale dhe ajo ideale, ajo profesionale dhe ajo qytetare. Nxënësi është aftësia e ardhshme publike e kombit – sipas një vizioni shtetëror të ndriçuar.

Kështu që paga e mësuesit është një marrëvëeshje që funksioni publik e kryen me vetveten, me shoqërinë dhe me buxhetet që zotëron. Çdo pagë është një marrëveshje që implikon pasuritë, aftësitë dhe nevojat jetike të një vendi. Le të marrim shembuj për ta shpjeguar këtë situatë paradoksale të vlerës publike që nuk mund të ketë çmim. Çmimi Nobel ka një vlerë monetare të caktuar, e cila nuk mund të krahasohet kurrë me të mirat publike që sjell në çdo brez. Patentat dhe zbulimet gjithashtu e kanë një vlerë të tillë. Çdo përpjekje liberale, për ta përkthyer në vlerën e fituar në të ardhmen, do ta bënte të pamundur fitimin publik të një krijimi apo shpikjeje. Ne nuk mund t’ia paguajmë kurrë vlerën e vërtetë Ensteinit për të paktën tre nga zbulimet e tij më të mëdha. As ndonjë ditë zbuluesit të kurës kundër kancerit. Nuk do të mund t’i japim kurrë zbuluesit të kurës kundër kancerit për shpërblim të gjithë kursimet që do t’i sjellë sigurimeve publike dhe atyre shëndetësore për vitet në vazhdim. Mësuesit të mirë kurrë nuk do t’i japim një pagë për të gjitha inteligjencat mendore dhe fizike që ka zgjuar apo zbuluar te nxënësit e tij. Dhe kurrë nuk do ta paguajmë për të mirat që do të sjellë nxënësi në shoqëri falë inteligjencës që ka aktivizuar tek ai mësuesi i arsimit fillor.

Ndaj mësuesi është figurë e shenjtë, ndaj gëzon prestigj. Mësuesi është një absolut që nuk kthehet në monedhë. Mësuesi është një absolut, pikërisht për këtë arsye paga e tij është marrëveshje shoqërore. Nëse shoqëria është monetarizuar sot në mënyrë absurde, funksioni publik nis dhe humb prestigjin.

Përpjekja e një shteti të vërtetë është ta mbajë në dinjitetin e lartë funksionarin e tij publik, përfshirë këtu policin që mund të rrezikojë çdo ditë jetën e vet për jetën e qytetarit, apo mjekun që mund të shpëtojë shumë njerëz prej vdekjes gjatë jetës së vet. Të gjithë këta funksione publikë janë absolutë të ngritur në një shoqëri të civilizuar, por të diskredituar në një shoqëri të monetarizuar.

Absoluti i mësuesit është dobësuar gjithashtu nga relativizimi i punësimit të të paaftëve dhe votuesve të mundshëm. Ky absolut është prekur rëndë gjatë viteve të korrupsionit. Ai u prek më së fundmi nga lëvizja e sindikatës së arsimit që e barazoi me 100 euro edukimin e nxënësit. Kjo sindikatë e la mësuesin të vetëm në shkollën bosh dhe e vendosi përballë prindit. Kjo sindikatë i vendosi edhe mësuesit përballë njëri-tjetrit dhe jo përkrah njëri-tjetrit.

Një shoqëri e shëndetshme është ajo që mbron mësuesin si absolut dhe nuk e kthen në relativ ndaj interesave. Një shtet i drejtë është ai që nuk e rrethon mësuesin e aftë me të tjerë të paaftë që i ka sjellë në shkollë partia apo vota. Një sindikatë e shëndetshme është ajo që vendos bashkë cilësinë e programit dhe marrëveshjen e pagës.

Shkolla është baza e shtetimit dhe regjistruesi i parë i depozitës së inteligjencës së një kombi. Dhe kjo inteligjencë është morale dhe shkencore, politike dhe teknologjike. Mësuesi është ai që shpall i pari hapur publikisht inteligjencën e secilit nxënës dhe shpresën që ky nxënës aspiron për shoqërinë në të cilnë bën pjesë. Ndaj mësuesi është një absolut. Kujdes! Jo sindikata.