Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit, Veselit e të bashkëluftëtarëve të tyre

Prishtinë, 25 nëntor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili gjendet në një vizitë zyrtare në Kosovë, të entjen është takuar me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Memli Krasniqi.

Meta, në një postim në Facebook, ka shkruar se me eksponentë të lartë të PDK-së e ka zhvilluar një bisedë të ngrohtë, ku kanë shprehur qëndrim të njëjtë për forcimin e marrëdhënieve strategjike dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Meta ka treguar se ka shprehur besimin në pafajësinë e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të kuvendit Kadri Veseli, dhe të të gjithë luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“Kënaqësi e madhe të takoja sot, në prag të Ditës së Flamurit Kombëtar, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në bisedën e ngrohtë dhe të hapur ndamë të njëjtim qëndrim për domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve strategjike dhe vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, në të gjitha fushat.

Vlerësova kontributin e vyer të PDK për konsolidimin e institucioneve të Kosovës, shtetit ligjor dhe demokracisë, si dhe për vijimin e dialogut me Serbinë, përmes një platforme gjithëpërfshirëse.

Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, ndaj ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, ka shkruar Meta.

Nikoqiri i Metës, Memli Krasniqi, ka thwnw se PDK-ja “e vlerëson si tepër të rëndësishëm e pa alternativë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”.

“Në prag të festës tonë kombëtare, 28 nëntorit, sot në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kisha kënaqësinë që bashkë me kolegë, të mirëpres Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.

Në këtë takim vëllazëror, me Presidentin Meta diskutuam për prioritetet dhe sfidat e dy shteteve tona, për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për rrugën e përbashkët drejt integrimit evropian. Po ashtu, Presidenti Meta na uroi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe për rezultatin e PDK-së në zgjedhjet komunale.

PDK e vlerëson si tepër të rëndësishëm e pa alternativë forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe si parti lidere e opozitës do të jap kontributin e saj në çdo formë e në çdo proces që ka këtë synim”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

(r.m.)

   

Comment

*