Meta beson se e diela do të jetë “një ditë feste për të gjithë shqiptarët”

Tiranë, 23 prill 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, dje dhe sot, ka pritur në takime ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, dhe ambasadorin e Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, bashkë me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Tiranë.

Kabineti i Presidentit Meta njoftoi se në fokus të takimeve kanë qenë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen të dielën.

Presidenti Meta i ka falënderuar ambasadorët që janë angazhuar për zgjedhje të lira e të ndershme dhe e ka shprehur shqetësimin për shtimin e parregullsive të raportuara gjatë fushatës zgjedhore.

Ai ka theksuar domosdoshmërinë e dekurajimit në kohë të çdo veprimi që cenon integritetin e procesit dhe ka kërkuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht në qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, të cilat, sipas tij, po zhvillohen nën trysninë e krimit të organizuar.

Sidoqoftë, Presidenti Meta ka shprehur besimin se, pavarësisht problemeve të deritanishme, “e diela do të jetë një ditë feste për të gjithë shqiptarët”.

Njoftimi i Presidencës:

Në vijim të komunikimit të vazhdueshëm mbi ecurinë e fushatës zgjedhore, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, dhe sot me Ambasadorin e Delegacionit të BE, Luigi Soreca, së bashku me Ambasadorët e vendeve anëtare të BE në Tiranë.

Presidenti Meta i falenderoi Ambasadorët për angazhimin dhe interesin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vuri në dukje rritjen e ndjeshme të numrit të rasteve të denoncuara nga qytetarët dhe partitë politike për parregullsitë e konstatuara gjatë kësaj fushate, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Precedentët famëkeq të dosjeve të Shijakut dhe Dibrës kanë zgjuar aktivizmin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos lejuar deformimin e votës së lirë duke iu drejtuar në kohë dhe përmes provave, organeve të drejtësisë dhe atyre të zbatimit të ligjit.

Duke patur parasysh rëndësinë thelbësore, që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për të ardhmen europiane të Shqipërisë, Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e dekurajimit, në kohë, të çdo veprimi, që cënon integritetin e procesit, dhe kërkoi praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht në qarqet e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës, të trysnuara edhe në zgjedhjet e kaluara nga krimi i organizuar.

Presidenti Meta veçoi rëndësinë e jashtëzakonshme, që ka sjellja profesionale dhe vetëm sipas ligjit nga ana e Policisë së Shtetit dhe institucioneve gjyqësore. Vetëm reagimi proaktiv, i menjëhershëm dhe i pavarur ndaj çdo akti që cenon paprekshmërinë e votës së lirë, mund të parandalojë përsëritjen dhe përhapjen e krimit zgjedhor.

Kushdo që provokon tension artificial, duke synuar dekurajimin e votimit masiv apo tjetërsimin e votës së qytetarëve, duhet të marrë përgjigjen e menjëhershme dhe të prerë të forcës së ligjit.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se pavarësisht problemeve të deritanishme, e diela do të jetë një ditë feste për të gjithë shqiptarët, pasi në këto zgjedhje ata do të kenë mundësinë e përzgjedhjes jo vetëm të alternativës më bindëse për secilin por edhe të kandidatit që ata besojnë më shumë.

(r.m.)

Comment

*