Meta: “Çdo votë të numërohet e rinumërohet”

Tiranë, 30 prill 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përsëritur thirrjen për numërimin e rinumërimin e votave të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

“Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund, sipas Kodit Zgjedhor!”, ka shkruar Meta, në një mesazh në Facebook.

Ai ka theksuar se hetimi i këtyre votave “me qetësi dhe transparencë maksimale” është “më i vlefshëm se kurrë”.

”E gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve”, ka theksuar Meta.

Mbi 83 mijë fletëvotime u shpallën të pavlefshme gjatë numërimit të votave në qendrat e numërimit.

Mesazhi i plotë i Metës:

Falenderoj të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët morrën pjesë masivisht në zgjedhjet e 25 prillit.

Referuar të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, përllogaritet që nga rreth 2.242.147 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 1.661.885 qytetarë.

Duke patur parasysh pamundësimin e ushtrimit të së drejtës së votës edhe përmes akteve të njëanshme normative, pjesëmarrja rekord më 25 prill e mbi 74% të qytetarëve rezidentë në Shqipëri me të drejtë vote, është shprehje e qartë e përgjegjësisë së lartë qytetare për fatet e vendit.

Ndërkohë që procesi zgjedhor vazhdon, e gjithë vëmendja duhet të jetë e përqendruar në evidentimin dhe hetimin e çdo parregullsie, që ka cenuar procesin dhe deformuar vullnetin e shprehur të qytetarëve.

Numri rekord i më shumë se 5% të votave të pavlefshme, nga të cilat shumica absolute qartësisht nuk ka qenë e shprehje e vullnetshme e pavlefshmërisë, kërkon një hetim urgjent dhe serioz.

Asnjë zhvendosje fokusi, deri në fund të procesit!

I vetmi hetim i vlefshëm tani është hetimi i votave të pavlefshme!

Shashkat e provokatorëve kanë vetëm një qëllim, shpërqëndrimin nga ajo që ka ndodhur në kutitë e votimit dhe gjatë numërimit.

Më i vlefshëm se kurrë, hetimi i votave të pavlefshme, me qetësi dhe transparencë maksimale!

Çdo votë të numërohet dhe rinumërohet deri në fund sipas Kodit Zgjedhor! 🇦🇱

foto galeri

(r.m.)