Meta dhe Diamond prezantojnë strategjinë e re ekonomike të LSI-së

Me konsulencën e këshilltarit të kryeministrave britanikë, Tony Blair dhe Gordon Brown

 

Aristir Lumezi

Një tjetër këshilltar i rëndësishëm i laburistëve anglezë ka punuar për programin e një partie politike shqiptare. Patrick Diamond, këshilltar ekonomik dhe i politikave sociale i Tony Blair, gjithashtu edhe këshilltar i Gordon Brown, aktualisht profesor në Universitetin e Oksfordit, ka bashkëpunuar me Lëvizjes Socialiste për Integrim për hartimin e programit ekonomik të saj që në fokus ka punësimin. Diamond është këshilltari i dytë i laburistëve anglezë që atashohet pranë partive politike të majta shqiptare. Alastair Campbell, ish zëdhënës dhe drejtor i Komunikimit pranë Tony Blair është kontraktuar për të qenë këshilltar i marrëdhënieve me publikun i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama, i cili po asiston fushatën e kësaj partie.

Forumi

“Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik për një punësim të sigurt”, ishte tema e forumit ekonomik që Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi dje ku të pranishëm ishin kryetarë të dhomave të tregtisë dhe industrisë por dhe ekspertë të fushës ekonomike.
Ilir Meta, kryetari i LSI-së, kërkoi nga politika shqiptare të reagojë shpejt dhe me masa konkrete në mënyrë që vendi të mos bjerë në recesion ekonomik. “Unë mendoj se edhe debatet që ne po ndjekim në fushatë tregojnë për një konfuzion, për një mungesë qartësie në përgjithësi dhe për një nivel populizmi në trajtimin e çështjeve, thjesht për përfitime të shpejta elektorale dhe duke mos dhënë dot një strategji të qartë se si ne do të garantojmë që Shqipëria të mos kalojë drejt recesionit”, u shpreh Meta. Duke folur për çështjen e taksave, që po ndan të djathtën nga e majta në këto zgjedhje, Meta kërkoi që ajo të shihet në funksion të rritjes ekonomike dhe rritjes së punësimit. “Për ne e para është që ne të kemi një ristrukturim sa më të shpejtë dhe me efekte afatshkurtra dhe afatgjata për ekonominë e vendit nga një ekonomi konsumi në një ekonomi e cila ecën drejt rritjes së prodhimit dhe e orientuar në mënyrë të veçantë drejt eksporteve. Dhe së dyti, e gjithë politika e taksave të vihet në këtë funksion dhe të rritjes së punësimit që është problemi më i mprehtë sot social për vendin tonë, si një vend me një moshë të re dhe ku çdo vit janë me dhjetëra e mijëra të rinj, të cilët kërkojnë vende të reja pune”, tha Meta. duke e parë fshatin si një mundësi e madhe zhvillimi e ku punësohet një numër i madh i popullsisë, Meta kërkoi rritjen e subvencioneve për bujqësinë. “Është e vërtetë që ka pasur një subvencionim për bujqësinë edhe pse shumë modest, por ka pasur diçka dhe ne mendojmë që duhet të 3-4 fishohet ky subvencion menjëherë për arsye sepse i jep një impakt të menjëhershëm dhe të shpejtë në rritjen e të ardhurave, në rritjen e rendimentit, në rritjen e prodhimit, në uljen e importeve dhe në rritjen e eksporteve. Është një impakt edhe i menjëhershëm, edhe i qëndrueshëm. Natyrisht edhe në drejtim të vetëpunësimit e me radhë”, tha Meta.

Eksperti

Patrick Diamond, këshilltar ekonomik dhe i politikave sociale, tregoi arsyet pse po bashkëpunon me LSI-në. “Arsyeja pse mbështes LSI-në, është se kur punoja në qeveri me Tony Blair dhe Gordon Broën dhe kur punonim ngushtë me politikanë si Bill Clinton dhe SHBA-të, gjithmonë kam thënë se gjëja tek e cila besojmë nuk është një qeveri ideologjike, por një qeveri që zgjidh problemet. Dhe unë besoj se kjo parti është përkushtuar në principin për të pasur një qeveri që u zgjidh problemet njerëzve dhe jo të krijojë probleme. Të punojë në mënyrë pragmatike dhe gjithashtu të punojë mbi bazat e ideve të mira, duke u përpjekur të zgjidhë sfidat me të cilat ky vend përballet”, tha Diamond. Në themel të strukturës ekonomike që propozon eksperti anglez, është kapitalizmi progresiv. “Ideja kryesore që përcakton politikën progresiste është ideja e kapitalizmit progresiv. Në historinë e të gjitha partive të majta ka pasur njerëz që kanë thënë se kapitalizmi progresiv është një term kontradiktor sepse nuk mund të kemi një kapitalizëm që të jetë edhe progresiv. Sigurisht, që ne nuk biem dakord me këtë dhe ne e argumentojmë këtë me faktin se mund të kesh një formë kapitalizëm tregu që nuk është thjesht i mirë për efiçencën ekonomike, por është gjithashtu i mirë për kohezionin social dhe për drejtësinë sociale. Dhe është ky model i kapitalizmit progresiv që ne kemi kërkuar të zhvillojmë në Britaninë e madhe dhe në vende të tjera të lëvizjes progresiste në të gjithë botë”, u shpreh Diamond.

Comment

*