Meta diskuton me gjeneralin Begaj për ndikimet e krizës së Ukrainës në rajon

Tiranë, 25 janar 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, të martën e ka thirrur në takim Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj.

Në qendër të diskutimit ka qenë rreziku i agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili ka shkaktuar shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Presidenti Meta, në një postim në rrjetet sociale, ka treguar se në takim është diskutuar për implikimet që mund të ketë pushtimi i Ukrainës në mbarë Europën dhe në rajonin e Ballkanit.

“Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e agresionit rus ndaj këtij vendi mik, të pavarur dhe sovran, si edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë”, ka shkruar Meta.

Ai ka treguar se ka theksuar “rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse”.

Postimi i plotë:

Sot pata një takim pune mjaft të frytshëm me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralmajor Bajram Begaj.

Diskutuam për situatën në dhe rreth Ukrainës. Ndamë shqetësimin e përbashkët me të gjithë partnerët tanë të NATO-s për kërcënimin e agresionit rus ndaj këtij vendi mik, të pavarur dhe sovran, si edhe për implikimet që ky kërcënim, në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, mund të ketë edhe për mbarë Europën dhe për rajonin tonë.

Në këtë kontekst, nënvizova rëndësinë e koordinimit sa më të efektshëm me Aleancën, si dhe marrjen e masave për vijimin e reformave në funksion të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.

(r.m.)

Comment

*