Meta e dekretoi anëtarin e 12-të të Gjykatës së Lartë, e kritikoi KLGJ-në për vonesë të prpozimeve

Tiranë, 26 prill 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e dekretoi të martën zotin Dariel Sina anëtar të Gjykatës së Lartë, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Ai bëhet anëtari i 12-të i kësaj gjykate, në përbërje të së cilës do të jenë 19 gjyqtarë.

Zoti Sina, i cili aktualisht e kryen funksionin e Komisionerit publik, ka luajtur rol të rëndësishëm në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Presidenti Meta, me rastin e dekretimit, kritikoi sërish KLGJ-në për vonesat në procesin e propozimit të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ai  tha se procedura e emërimit të zotit Sina ka zgjatur ekzaktësisht 2 vjet e 7  muaj, nga shtatori 2019 deri në prill 2022.

“Kohëzgjatja e procedurave të ndjekura nga KLGJ është e papranueshme, përtej çdo afati ligjor dhe të arsyeshëm”, theksoi Meta në një shpjegim që e shoqëronte dekretin.

Zoti Meta kujtoi se ndonëse ai, zyrtarisht dhe përmes mesazheve publike, ka kërkuar dhe ka bërë thirrje disa herë për ndjekjen me prioritet të procedurave të plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë, KLGJ-ja dhe institucionet e përfshira apo të lidhura me këtë proces “kanë vepruar jashtë këtij prioriteti”.

Përveç numritë të lartë të dosjeve të grumbulluara ndër vite, plotësimi i Gjykatës së Lartë pati rëndësi të veçantë edhe për shkak se kjo gjhykatë do të duhej të përzgjidhte kandidatët për 3 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kjo situatë u zhbllokua në muajin shkurt të këtij viti, kur u emërua gjyqtarja Arbena Ahmeti, anëtarja e 10-të e Gjykatës së Lartë, emërim ky që bëri të mundur sigurimin e kuorumit të nevojshëm për thirrjen e mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin e zgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, mbledhja e posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që thirret nga kryetari i saj, konsiderohet e vlefshme nëse marrin pjesë të paktën gjysma e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Aktualisht Gjykata e Lartë ka mundur të plotësojë një prej tri vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa vijon procesi i verifikimit të kandidatëve për dy vendet tjera të lira.

(r.m.)