Meta kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për Parkun e Butrintit

Tiranë, 21 qershor 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i është drejtuar Kuvendit me kërkesë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për çështjen e Ligjit për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Meta vlerëson se kjo është çështje me rëndësi të veçantë prandaj kërkon kujdes të veçantë nga organet shtetërore dhe Kuvendi duhet ta miratojë dekretin e Presidentit për mosmiratimin e këtij ligji të tillë çfarë është miratuar nga mazhoranca, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar.

President Meta kërkon që komisioni “përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi, të mund të prodhojë produktin më të mirë, e përmes një dakordësie të gjerë t`u ofrojë brezave që vijnë zgjidhjen më të mirë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe gjithë pasuritë të çdo lloji pjesë e tij.”

Kërkesa e plotë:

Me qëllim:

–        respektimin e parimeve kushtetuese dhe vlerave universale;

–        mbrojtjen e trashëgimisë tonë kombëtare nga shtrembërime të çdo lloj natyre;

–        respektimin e Konventës së Parisit dhe parimeve të përcaktuara nga UNESCO;

–        për të garantuar që rendi juridik i normave të legjislacionit shqiptar, është i njëjtë dhe i barabartë për të gjithë dhe askush nuk mund të ketë një trajtim të parapëlqyer nga qeveria nëpërmjet Kuvendit;

–        për të mos lejuar asnjë mundësi që pasuria e shqiptarëve të keqadministrohet dhe pjesët më të rëndësishme të saj që faktojnë gjurmët reale të identitetit ilir dhe shtetit shqiptar të humbasin;

–        në respekt të Rezolutës së Parlamentit Evropian për Shqipërinë të datës 19 maj 2022 dhe i bindur dhe mbështetës për gjithë sa parashtrohet në këtë Rezolutë;

–        me qëllimin që pasuria dhe financat e shtetit që krijohen nga një pasuri kombëtare e patjetërsueshme, të administrohen në funksion të kësaj çështje në mënyrën më të mirë të mundshme;

–        duke respektuar njëkohësisht dhe vullnetin dhe angazhimin prej vitesh të Fondacionit Shqiptaro- Amerikan për Zhvillim (AADF);

–        në respekt të çdo eksperti dhe qytetari dhe anëtari të shoqërisë civile të Republikës së Shqipërisë, i cili përmes opinioneve, vlerësimeve dhe angazhimeve kërkon mbrojtjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe pasurisë sonë të përbashkët;

mbështetur në nenin 85 pika 1, 86 pika 1, 92/a, të Kushtetutës, si Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit dhe si përfaqësues i unitetit të popullit, kam vendosur që ky ligj duhet të rikthehet edhe një herë në Kuvend, me qëllim që kjo çështje, të marre kohën dhe vëmendjen e duhur, për t`u vlerësuar përsëri nga Kuvendi, përmes një procesi real dhe të thelluar diskutimi.

Lidhur me këtë çështje kaq të rëndësishme, si President i Republikës, vlerësoj se në mbështetje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenit 24 të Rregullores së Kuvendit , kjo çështje, hyn pikërisht në llojin e atyre çështjeve të një rëndësie ekstremisht të veçantë, e cila kërkon kujdes të lartë nga organet shtetërore dhe për këtë Kuvendi i Shqipërisë, duhet të miratojë dekretin e Presidentit, dhe të vlerësojë sugjerimin për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, i cili përmes një procesi të gjerë dhe solid konsultimi e diskutimi, të mund të prodhojë produktin më të mirë, e përmes një dakordësie të gjerë t`u ofrojë brezave që vijnë zgjidhjen më të mirë për Parkun Kombëtar të Butrintit dhe gjithë pasuritë të çdo lloji pjesë e tij.

Në këtë mënyrë, jo vetëm do të garantojmë zgjidhje dhe zgjedhje më të mira, por do të ishim në unison dhe me kërkesat e Parlamentit Evropian i cili në datën 19 maj 2022, ka miratuar Rezolutën  me përplot 73 pika, ku ndër të tjera, bën thirrje që politika shqiptare të tregojë pjekuri politike në trajtimin e çështjeve me interes publik, të rrisë demokracinë, rikujton përgjegjësinë e autoriteteve qendrore dhe lokale për të siguruar transparencë, llogaridhënie dhe gjithëpërfshirje, si dhe thekson se përmirësimi i qeverisjes, transparenca, siguria ligjore, përfshirja dhe dialogu social janë thelbësore për stimulimin e investimeve të huaja direkte dhe mbajtjen e punëtorëve të kualifikuar; bën thirrje për një përfshirje kuptimplotë të shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara në debatin mbi veprimet e politikave.

Nëse shumica në Kuvendin e Shqipërisë do të zgjedhë siç dhe ka deklaruar publikisht të rrëzojë politikisht dekretin e Presidentit të Republikës, dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 50/2022, kjo nuk do t`i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi.

(r.m.)

Comment

*