Meta kundër hartës së re gjyqësore, kërkon rishikimin e saj

Tiranë, 15 qershor 2022 – Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta është shprehur me tone kritike ndaj hartës së re gjyqësore të miratuar të premten e shkuar nga Këshilli i Lartë gjyqësor, duke kërkuar rishikimin e saj. Propozimi i KLGJ-së, çon në një reduktim të fortë të numrit të gjykatave, ku në Shkallë të parë mbeten 13 nga 22, ndërsa do të ketë vetëm 2 gjykata administrative dhe vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë.

“Shkrirja e një numri kaq të madh të Gjykatave të Shkallës së Parë në Rrethe dhe Gjykatave të Apeleve me justifikimin se nuk ka gjyqtarë, nuk është zgjidhja as më e mirë, as më e përshtatshme, dhe kurrësesi nuk mundet të jetë në përputhje me standardet europiane” thekson presidenti Meta në një qëndrim publik mbi këtë çështje, e cila u rikthye në qendër të vëmendjes pas vendimit të Dhomës së Avokatisë për bojkotimin e seancave gjyqësore që prej ditës së martë, deri të premten.

“Grumbullimi i gjyqtarëve në një godinë, as nuk përshpejton proceset gjyqësore, as nuk zgjidh problematikën tepër shqetësuese të stokut të çështjeve të mbartura prej vitit 2016-2017, dhe as e ul mbingarkesës e gjyqtarëve, aq më pak, as nuk plotëson vendet bosh të krijuara në sistem”, nënvizon presidenti, sipas të cilit “është e qartë se Këshilli i Lartë Gjyqësor, në draftimin dhe miratimin e Hartës së re Gjyqësore, është udhëhequr më shumë nga tensioni dhe/apo ngutja që kanë krijuar vakancat e mëdha në sistemin gjyqësor, pra mungesa e gjyqtarëve, dhe jo nga garantimi i një drejtësie sa më efiçente, që jepet në kohë, për qytetarët dhe e prekshme për ta dhe mbrojtësit e tyre”.

Çështja e hartës së re gjyqësore ishte sot temë debati dhe në Komisionin parlamentar të Ligjeve, ku kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësore, Naureda Llagami, shpjegoi se është vepruar në respekt të detyrimeve ligjore. “Parashikimi ligjor është që madhësia e një gjykate është jo më pak së 7 gjyqtarë. Katër gjykata ishin me katër gjyqtarë. Pra nuk plotësonin kriteret. Dy gjykata me pesë gjyqtarë. Dy të tjera me gjashtë gjyqtarë në strukturë. Pra dhe këto nuk plotësonin kriterin ligjor. Nëse shohim produktin e analizojmë statistikat do arrijmë në atë përfundim që kemi arritur dhe ne”, u shpreh ajo.

Sipas presidentit Meta “vendi ynë ka nevojë urgjente për gjyqtarë dhe prokurorë të cilët të plotësojnë numrin e madh të vendeve bosh të krijuara në sistemin e drejtësisë”. Aktualisht nga 408 gjyqtarë, në sistemin e drejtësisë ka 224 gjyqtarë, ndërkohë që numri i atyre që mbarojnë shkollën e magjistraturës, nëse të gjithë do ta përfundojnë ciklin, do të jetë 144 deri në vitin 2028.

Përveç Dhomës së Avokatisë e cila kritikoi KLGJ-në se nuk ka marrë në konsideratë sugjerimet e tyre gjatë fazës së konsultimeve, të njejtin konstatim kanë bërë dhe organizatat e shqërisë civile, që po ashtu kanë shprehur shqetësim për pasojat e vënies në zbatim të kësaj harte të re, në qasjen që qytetarët do të kenë ndaj sistemit të Drejtësisë.

(Zëri i Amerikës)