Meta: Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin

Tiranë, 31 mars 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një postim në Facebook, e cilëson si një plagë të madhe të vendit largimin e trurit dhe të rinisë.

Duke iu referuar raportit të Institutit për Studime Ekonomike Ndërkombëtare të Vjenës, Meta thekson se fenomeni i i shpopullimit në Shqipëri është përkeqësuar gjatë viteve të fundit, sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç.

Ai bën thirrje që ky fenomen rë ndërpritet sa më parë, duke ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi për të rinjtë.

Mesazhi i plotë i Metës:

Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin.

Një tjetër institucion prestigjoz, Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, bën me dije se fenomeni i shpopullimit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit është përkeqësuar sidomos me largimin e grupmoshave 20-24 vjeç.

Studimi vëren se nga 105 mijë qytetarë që ikin nga Shqipëria, 40,700 persona janë të arsimuar ose 40 për qind e totalit.

Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë.

Të rinjve tanë u duhen ofruar më shumë shpresë, alternativa edukimi dhe punësimi, ndërsa të arsimuarve më shumë shanse të barabarta, vlerësim meritokracie dhe vende pune, ku të shfaqin talentin dhe potencialin e tyre intelektual.

Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”!

KOHA PËR TË NDALUR SHPOPULLIMIN ËSHTË TANI! 🇦🇱

(r.m.)

Comment

*