Meta ngre padi ndaj Autoritetit të Dosjeve, për njollosje të figurës së tij

Tiranë, 22 gusht 2022 – Në Shqipëri, ish presidenti Ilir Meta i cili tanimë drejton Partinë e Lirisë (ish LSI) njoftoi të hënën se ka vendosur të ngrejë padi penale ndaj Autoritetit të Dosjeve, institucioni, i cili në fund të muajit korrik ju drejtua me një shkresë zyrtare parlamentit, duke bërë të ditur se emri i zotit Meta figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit.

Ish presidenti shpjegoi se do ta ndërmarrë këtë akt më 1 shtator, me pretendimet për “për shkelje flagrante dhe të vetdijshme të ligjit organik të dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, për falsifikime të provuara dhe të qëllimshme të dosjes së qytetarit F.T, dhe për manipulim për qëllime shantazhi dhe për nxjerrje të sekreteve shtetërore në publik”.

Qytetari F.T., rezulton të jetë Filip Talo, personi që siç rezultoi më pas në media, është denoncuar nga një shok i universitetit, me inicialet I.M. Vetë Talo ka mohuar publikisht që ky të jetë ish presidenti Meta.

Zoti Meta tha sot se “jam njohur plotësisht me dosjen e përndjekjes së qytetarit F.T. nga ish Sigurimi i Shtetit. Nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar e nuk mund të ekzistojë asnjë dosje për Ilir Rexhep Metajn”, u shpreh ai.

Zoti Meta nuk rezulton të ketë bërë kërkesë për të tërhequr dosjen në të cilën sipas Autoritetit, figuron emri i tij. Ka qenë Filip Talo, ai që mësohet se ka bërë një kërkesë të tillë, menjëherë pasi në media nisi të qarkullojë emri i zotit Meta, dhe kur nuk ishte publikuar ende shkresa që Autoriteti i Dosjeve i kishte nisur parlamentit. Duket se ish presidenti e ka siguruar dosjen pikërisht nga Filip Talo.

Zoti Meta foli për manipulime dhe falsifikime të dosjes, akte të cilat sipas tij janë urdhëruar nga kryeministri Edi Rama, në një kohë që ai vetë ishte ende kryetar i Shtetit.

Që në reagimin e tij të parë për këtë çështje, zoti Meta drejtoi akuza ndaj Autoritetit të Dosjeve. Por, ky institucion Autoriteti reagoi, duke deklaruar se “nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore”.

Në shkresën dërguar parlamentit, Autoriteti kërkonte ndërhyrje ligjore për t’i hequr atij pengesën për riverifikim të personave të pajisur më parë me çertifikatë pastërtie nga dy Komisionet e posaçme të ngritura në fundvitet ’90, si dhe për të përfshirë detyrimin që çdo forcë politike të dorëzonte për verifikim përpara zgjedhjeve, listën e kandidatëve të vet si për deputet ashtu dhe për pushtetin vendor. Një kërkesë e tillë ka qenë e përsëritur, por vetëm këtë herë, shumica socialiste vendosi të veprojë me shpejtësi, e nxitur dukshëm nga emri në shkresë, i zotit Meta, me të cilin ata patën përplasje të vazhdueshmë gjatë mandatit të tij 5 vjeçar si president, duke dështuar në dy përpjekjet për shkarkimin e tij.

Shumica ka përgatitur dy ndërhyrje ligjore në Kodin Zgjedhor dhe në Ligjin për të drejtën e informimit mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, siç ka kërkuar autoriteti, dhe po punon për një tjetër ndërhyrje në ligjin për dekriminalizimin, duke e shtrirë rrezen e ndalimit të ushtrimit të funksioneve publike të personave që rezultojnë si bashkëpunëtorë apo të favorizuar të ish Sigurimit të Shtetit, jo vetëm te të zgjedhurit por dhe te shumë kategori të tjera.

(Armand Mero, Zëri i Amerikës)