Meta priti përfaqësuesit e “Grupit C5”, thekson rëndësinë që ka për Shqipërinë çelja e negociatave

Tiranë, 23 maj 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, njoftoi të dieln se ka pritur në takim  përfaqësuesit e vendeve të “Grupit C5”, të kryesuar nga ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, i cili  do ta marrë kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, prej 1 korrikut të këtij viti.

Presidenti Meta, në një njoftim në Facebook, ka thënë se presidenca e ardhshme sllovene e Bashkimit Evropian është një mundësi e favorshme për Shqipërinë dhe për mbarë rajonin.

Ai ka treguar se gjatë takimit e ka theksuar rëndësinë që ka çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.

Postimi i plotë i Metës:

Kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021.

Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.

Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse.

(r.m.)

Comment

*