Nis gara për pasardhësin e Sali Berishës në krye të PD-së

“Lidershipi i ri ka fatin që të mos ketë historinë ketë në shpinë, por të ketë trashëgiminë e mirë të Partisë Demokratike, të ketë vizionin e saj, projektin e saj. Ai nuk mund të zgjidhet nga Kuvendi i partisë. Ai duhet të zgjidhet nga “një anëtar, një votë”. Nëqoftëse unë do të doja të shenjoja pasardhësin, ai do të dilte me shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë, sepse unë do ta lë që të jetë një garë të hapur”-tha zoti Berisha

 

Denion Ndrenika

Kryetari Sali Berisha udhëhoqi mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike për herë të parë pas dorëheqjes që dha kur mori përgjegjësinë e e humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit. Zoti Berisha shpalli procedurat e e zgjedhjes së pasardhësit të tij. Brenda javës do të mblidhen kërkesat për kandidim, ndërsa të premten e ardhshme do të shihen përsëri në kryesi. Pasi të përfundojë me gjasë brenda muajve korrik apo gusht, në shtator besohet të shpallet edhe kryetari i ri që do të kalojë në Kuvendin Kombëtar për zgjedhjen e forumeve të partisë. “Është një dakortësi e plotë që kandidatët do të pranojnë rezultatin dhe në këtë mënyrë, në një kohë të shkurtër ne do të kemi një lider të ri. Kryesia mund të jepte dorëheqjen, por nuk ja këshilloj. Lidershipi i ri do të zgjedhë kryesinë e vet. Dha dorëheqjen kryetari. Në këtë mënyrë ecim të sigurt drejt një fillimi të ri të fuqishëm”-tha zoti Berisha. Zgjedhja e kryetarit të ri të Partisë Demokratike do të bëhet me proces votimit të çdo anëtari, i njohur si parimi “Një anëtar, një votë” dhe jo nga Kuvendi Kombëtar që pas themelimit në 8 dhjetor 1990. Zoti Berisha tha se humbja e zgjedhjeve e kthen në domosdoshmëri drejtimin me lidership të ri të partisë: “Lidershipi i ri ka fatin që të mos ketë historinë ketë në shpinë, por të ketë trashëgiminë e mirë të Partisë Demokratike, të ketë vizionin e saj, projektin e saj. Ai nuk mund të zgjidhet nga Kuvendi i partisë. Ai duhet të zgjidhet nga “një anëtar, një votë”. Nëqoftëse unë do të doja të shenjoja pasardhësin, ai do dilte me shanset më të mëdha. Unë nuk do ta bëj këtë, sepse unë do ta lë që të jetë një garë të hapur”.
Po ashtu zoti Berisha tha se Partia Demokratike duhet të analizojë humbjen e zgjedhjeve me drejtuesit e rinj: “Lidershipi i ri do të bëjë të gjitha analizat e kësaj humbjeje, e cila është serioze, shumëplanëshe, e cila nuk do të kalojë pa një analizë. Partia Demokratike ka pësuar një humbje të qartë dhe ajo ka jetik një fillim të ri të fuqishëm. Partia Demokratike nuk ka pushim, ka humbur dhe tani do të punojë shumë. Nuk jam kurrë për gjah në parti! Ne nuk jemi parti e filozofisë së gjahut! Kjo është staliniste! Ai që humbet, ai ndjehet njeriu më fatkeq. Ai ka bërë gjithçka për të fituar. E kemi këtë punën si popull, duam koka turku, por nuk jam unë për këtë! Kjo është staliniste. Ne bëjmë analizat”.
Zoti Berisha shtoi se është në detyrimin më madhor moral, që t’i jepet mbështetja totale partisë për fillimin e saj të ri siç e theksoi “më të fuqishëm që ka patur ndonjëherë”. “Një fillim i ri do të ishte i pamundur pa një lidership të ri. Kemi detyrën kryesore, imediate, të hapim procedurën e zgjedhjes së lidershipit të ri. Cilido le të vijë të hyjë në garë, por me një kusht të pranojë garën. Të gjithë anëtarët e PD-së ta konsiderojnë këtë proces si një mision jetik për fillimin e ri të fuqishëm dhe të suksesshëm të PD-së”-tha ai.
Mandej, rreth orës 15:30 kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetare e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli deklaroi se nuk do të kandidojë për vendin e zotit Berisha. “S’do të kandidoj për kryetare të PD, nuk ka qenë ambicia ime. Jam krenare që kam punuar me Sali Berishën. Berisha, arkitekt i Shqipërisë moderne”-tha zonja Topalli. Qëndrim të njejtë përjashtues për të garuar si kryetar mbajti edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ritvan Bode: “Unë kam 16 vjet që jam sekretar i përgjthshëm i PD, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryetarit Sali Berisha. Ka qenë një kënaqësi dhe një fat i madh për mua që kam bashkëpunuar me të në ditë të vështria dhe ditë të mira, kështu që unë do të jem në funksion të konsolidimit të lidershipit të ri të Partisë Demokratike”-tha me afërsi zoti Bode, ministër i Financave në detyrën që e mori prej shtatori 2005 pa zgjedhjeve të fituara të 3 korrikut të atij viti.
Kandidati më i mundshëm shihet kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Por, zoti Basha tha se ende nuk është koha për emra: “Besoj se jeni informuar se nuk është momenti për të diskutuar një temë të tillë. Kryesia është mbledhur. E keni parë live vendimin e kryesisë dhe pas kësaj të gjithë kandidatët potencialë do të kenë mundësi të shprehen. Sot nuk është dita për t’u shprehur për këtë”. Kandidati tjetër i mundshëm, Sokol Olldashi, ministër i Transportit dhe Punëve Publike theksoi gjithashtu se “kryesia është marrë vetëm me çështje proçedure dhe se si do të bëhen gjërat”, ndërsa shtoi se “është shumë herët për të folur për kandidatë” dhe se “pesë ditë janë kohë e gjatë”.

2 Responses to “Nis gara për pasardhësin e Sali Berishës në krye të PD-së”

Read below or add a comment...

  1. Berat Gashi says:

    test