Meta-Santos folën për vizat e Kosovës, Bosnje/Hercegovinën dhe krimin

Presidenti Ilir Meta priti Reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos

Knid Ndrenika

Presidenti Ilir Meta tërhoqi vërejtjen që Bashkimi Europian ende nuk i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Presidenti tha se në takim me Reporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos bisedoi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërkohë, sot është dita e përvjetorit të 11-të të vendimit të Këshillit Europian që ia njohu të drejtën e lëvizjes së lirë Shqipërisë.

“Është e domosdoshme, që ky proces të përmbyllet me rajonin tonë, duke liberalizuar sa më parë vizat edhe me Kosovën, të vetmit vend që nuk i është mundësuar ende kjo e drejtë edhe pas plotësimit të të gjitha kushteve”, – tha zoti Meta.

Ai shtoi gjithashtu se temë tjetër e bisedës ishte gjendja shqetësuese në Bosnje-Hercegovinë dhe kërkoi që Bashkimi Europian t’i kushtojë vëmendjen e duhur pa humbur kohë.

“Me eurodeputeten Santos, – vijoi presidenti në një postim në fejsbuk, – ndanë qëndrimin se krimi i organizuar dhe emigracioni përbëjnë shqetësim serioz, që duhet trajtuar me përparësi”.

“Vlerësova angazhimin e saj dhe të Parlamentit Europian në mbështetje të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë”-shtoi zoti Meta.