Meta: Vendimi i DASH për Berishën, akt i shëmtuar dhe i poshtër

Tiranë, 22 maj 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar sot me tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për t’ia ndaluar hyjren në territorin e Shteteve të Bashkuara ish presidentit dhe ish kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe familjes së tij.

Në një postim në Facebook, Meta e ka cilësuar vendimin e DASH “fletërrufe e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z. Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit”.

“Kjo ‘fletërrufe’ jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik”, ka shkruar Meta.

Ai e ka publikuar edhe mesazhin e solidaritetit që ia kishte dërguar z. Berisha dhe familjes së tij kur kishte mësuar për vendimin e DHASH.

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”, kishte shkruar Meta, ndër të tjera, në mesazhin dërguar Berishës dhe familjes së tij.

Postimi i plotë i Metës:

Të dashur qytetarë shqiptarë dhe bashkëkombas kudo në botë,

Si President i Republikës së Shqipërisë ndjej përgjegjësinë e lartë të ndaj me Ju vlerësimin tim lidhur me “fletërrufenë” e porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë kundër z.Sali Berisha, Presidentit të parë demokratik të vendit.

Kjo “fletërrufe” jo rastësisht u kërkua në këtë moment, kur procesi zgjedhor ende nuk është mbyllur zyrtarisht dhe kur institucionet, sipas Kodit Zgjedhor, duhet të shprehen lidhur me ankesat e shumta për manipulimet dhe krimet zgjedhore të denoncuara gjerësisht, që kanë cenuar rëndë standardet perëndimore të një procesi elektoral plotësisht të lirë, të ndershëm dhe demokratik.

Duke u bërë thirrje të gjithëve të zbatojnë me rigorozitet ligjin, si dhe të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor lidhur me procesin e 25 prillit, pasi kjo është dhe mbetet çështja më e rëndësishme aktualisht, ndjej përgjegjësinë të ndaj me secilin prej jush, mesazhin e solidaritetit, që i kam dërguar z.Sali Berisha dhe familjes së Tij ditën e enjte paradite, pas informacioneve, që mora nga burime të ndryshme dhe të besueshme:

“Përshëndetjet e mia më të sinqerta dhe solidaritet për Ju, Lilin dhe Familjen tuaj pas këtij akti të shëmtuar, të pabesë dhe të poshtër, që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër. Ata që financuan për të shpallur hero të Reformës në Drejtësi Dvoranin e Partisë mund të bënin çdo marrëzi dhe nuk mund të na habisin më me pacipësinë e tyre për respektin ndaj shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e Drejtësisë.

Të fala!”

 

(r.m.)