Meta: Veprimet e Republikës Serbe e rrezikojnë stabilitetin në rajon

Tiranë, 12 dhjetor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, ilir Meta, ka reaguar lidhur me përpjekjet e Republikës Serbe për shkëputje nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucione paralele në Bosnjë e Hercegovinë.

Meta, në një reagim në Facebook, ka shkruar se përpjekjet për krijimin e institucioneve të pavarura nga Sarajeva shkojnë në drejtim të kundërt me përpjekjet 26-vjeçare të qytetarëve të Bosnjës e Hercegovinës dhe të bashkësisë ndërkombëtare për paqe e siguri në vend.

Ai ka theksuar se Republika Serbe, me veprimet e fundit, minon seriozisht edhe stabilitetin rajonal dhe perspektivën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë”, ka shkruar Meta.

Postim i plotë:

Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.

Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe dhe begati. Gjithashtu, ato dëmtojnë rëndë shtetin ligjor dhe perspektivën e integrimit europian të vendit dhe rajonit.

Bëj thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok, me qëllim avancimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, avancimin e proceseve integruese të shtetit të tyre, çka do t’i shërbente edhe forcimit të paqes e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor.

(r.m.)