MFRR: Qeveria e Shqipërisë të heqë dorë nga themelimi i Agjencisë për Media dhe Informim

 Leipzig (Gjermani),11 tetor 2021 – “Media Freedom Rapid Response” (MFRR) ka shprehur shqetësimin për vendimin e Qeverisë së Shqipërisë për krijimin e Agjencisë për Media dhe Informim.

MFRR i kërkon Partisë Socialiste në pushtet që ta anulojë menjëherë vendimin për themelimin e kësaj agjencia për të siguruar se nuk do të përdoret për ta forcuar më tej kontrollin ndaj informimit publik.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian që të angazhohet menjëherë me qeverinë shqiptare për t’i ngritur këto shqetësime si çështje prioritare në bisedimet e ardhshme të pranimit. Planet për agjencinë e re, të shpallura gjatë seancës së parë të parlamentit të ri, më 18 shtator, do ta centralizonin kontrollin e qeverisë mbi marrëdhëniet publike brenda një njësie të vetme”, thuhet në reagimin që transmetohet nga gazeta “Express”.

Sipas vendimit të Qeverisë së Shqipërisë, zëdhënësve të ministrive dhe departamente qeveritare do t’u ndalohet të flasin drejtpërdrejt me mediat. Deklaratat dhe komentet e tyre duhet të miratohen nga një person, i cili do të emërohet drejtpërdrejt nga kryeministri dhe do të ketë status të barabartë me atë të një ministri të kabinetit qeveritar.

Qeveria e Shqipërisë ka thënë se agjencia e re, e cila do të financohet nga buxheti i shtetit dhe nga “donacione” të paspecifikuara “do ta rrisë transparencën dhe do t’i unifikojë mesazhet” nëpër ministri të ndryshme.

“Gazetarët në Shqipëri aktualisht punojnë në një klimë jashtëzakonisht të vështirë për të pasur informacion nga burimet qeveritare. Qeveria komunikon me gazetarët përmes grupeve ËhatsApp, në vend që të përdorë kanalet zyrtare. Gazetarët që punojnë për mediat e pavarura diskriminohen rregullisht kur kërkojnë informacione ose komente nga ministrat. Gazetarëve që shihen si përfaqësues të mediave ‘opozitare’ u mohohet akreditimi ose u ndalohet të bëjnë pyetje në konferencat për shtyp”, thuhet në reagimin e MFRR.

Në reagim thuhet gjithashtu se kryeministri u shmanget konferencave për shtyp dhe në vend të kësaj mbështetet në stacionin e tij televiziv, ERTV, për të krijuar dhe për të shpërndarë për  medie “informacione dhe videoklipe të para-redaktuara”.

“Intervistat u jepen gazetarëve të zgjedhur që mbrojnë kryeministrin dhe ministrat e tjerë nga përballja me pyetje sfiduese. Nën Partinë Socialiste, institucionet e tjera shtetërore kanë imituar këtë model dhe tani u dërgojnë pako lajmesh të përgatitura paraprakisht stacioneve televizive dhe gazetave private. Rezultati është se në të gjitha nivelet e qeverisjes, gazetarët përballen me pengesa të konsiderueshme në parashtrimin e pyetjeve ose shqyrtimin e duhur të ministrive. Në këtë sfond, ngurtësimi i mëtejshëm i kontrollit të qeverisë mbi rrjedhën e informacionit nga një njësi e vetme rrezikon ta kthejë atë që tashmë është një burim i pikuar informacioni për gazetarët në një shkretëtirë”, thuhet në reagim.

“Media Freedom Rapid Response” (MFRR) është një mekanizëm, i cili gjurmon, monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit në Evropë.

(r.m.)