Michel e mbështeti “Ballkanin e Hapur”, Rama rishtaz nervoz

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel mbështeti “Ballkanin e Hapur” kur foli krah kryeministrit Edi Rama në Tiranë

Knid Ndrenika

Kryeministri Edi Rama theksoi se nuk ka përse të ketë kërkimfalje, referuar Serbisë ndaj Kosovës, më parë se sa të ulen në tryezë për të zgjidhur problemet e përditshmërisë.

Ai iu referua “Ballkanit të Hapur” që ka veç Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë Veriore, pasi Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina nuk e pranojnë.

Kryeministri tha jo pa nervozizëm se procesi nuk mund të kushtëzohet nga kërkimfalja, kupto Serbinë ndaj Kosovës, duke marrë shembullin e Gjermanisë me Francën:

“Nuk arrihet te paqja përfundimtare dhe zgjidhja e të gjitha konflikteve duke mos u ballafaquar në tavolinë. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes se duhet të arrijmë paqen përfundimtare, pastaj duhet të lëvizim! Gjermania i kërkoi falje Francës kur erdhi Vili Brand (kancelar). Nuk u fillua nga falja, por nga komuniteti i përbashkët. Këtë duhet të bëjmë edhe ne, dhe këtë do të bëjmë”.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha në Tiranë se personalisht e mbështet nismën e “Ballkanit të Hapur” dhe se uronte që të bashkoheshin edhe vendet e tjera veç Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore.

“Mbështes “Ballkanin e Hapur”. Uroj që të gjithë të bashkohen në këtë nismë. Për të bashkëpunuar, forcuar strukturat ekonomike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”-tha ai.

Ndërkaq, presidenti Michel tha se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian pasi i ka përmbushur kushtet.

Ndërkaq, zoti Rama kërcënoi se Shqipëria do të ndryshojë kursin për eurointegrimin nëse Brukseli nuk ia hap negociatatat për shkak të vetos bullgare ndaj verimaqedonasve.

Presidenti Michel tha se Shqipërisë duhet t’i hapen negociatat për antarësim me besimin përpara fundqershorit pasi i ka përmbushur të gjitha kushtet.