Mijëra vullnetarë bjellorusë stërviten për të mbrojtur Ukrainën

Varshavë, 17 maj 2022 – Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, Bjellorusia ka shërbyer si një prej bazave nga niste sulmi rus. Tani mijëra bjellorusë, të cilët në vitin 2020 iu kundërvunë forcave të sundimtarit të tyre Aleksandër Lukashenko, kanë vendosur të luftojnë për Ukrainën, duke formuar njësi dhe batalione bjelloruse në territorin polak.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze ka siguruar pamje ekskluzive brenda terrenit të stërvitjes për regjimentin bjellorus të njohur si “Pahonja” në Poloni.

Kritikët thonë se Bjellorusia është bërë bashkëpunëtore në luftën e Putinit kundër Ukrainës. Por shumë bjellorusë, të cilët zhvilluan protesta paqësore në vitin 2020 kundër sundimtarit të tyre të gjatë, Aleksandër Lukashenko, kanë marrë armët për të mbrojtur Ukrainën. Shumë bjellorusë e shohin këtë si një mundësi për të çliruar vendin e tyre nga diktatura.

Në këtë terren stërvitor në Poloni, vullnetarët po marrin mësimet e tyre të para të betejës. Një ish-oficer i policisë polake, tani pronar biznesi dhe partneri i tij veteran lufte, po stërvisin bjellorusët që u regjistruan për regjimentin e ri, të njohur si “Pahonja”. Pas një jave stërvitjesh në Poloni, vullnetarët transferohen në një bazë në Ukrainë, për një stërvitje më intensive disamujore.

Drejtuesi i regjimentit pret që çdo muaj të regjistrohen rreth 40 persona dhe që shifrat të rriten në mënyrë të qëndrueshme.

“Ata janë bjellorusë shumë të motivuar. Kanë vetëm dy objektiva. Njëri është të ndihmojmë vëllezërit e tyre, në Ukrainë, sepse ne kemi një armik të përbashkët”, thotë për Zërin e Amerikës, Vadim Prokopiev.

Vullnetarët janë të vendosur të fitojnë përvojë luftarake. Andrey thotë se familja e tij është në Bjellorusi dhe kërkon që fytyra e tij të mos shfaqet për arsye sigurie.

“Kjo nuk është vetëm lufta e Ukrainës. Është lufta e të gjithë botës së lirë dhe e Bjellorusisë gjithashtu, sepse Bjellorusia është pothuajse 30 vjet nën diktaturë dhe është shumë e dhimbshme për ne, për popullin bjellorus që… vërtet dëshiron të jetë i lirë. Ëndërrojmë dhe shpresojnë, që pas humbjes së Putinit, regjimi i Lukashenkos gjithashtu do të shkatërrohet”, thotë Andrey për Zërin e Amerikës.

Për Kirillin, i cili u largua nga Bjellorusia shumë kohë më parë, kjo luftë ka të bëjë gjithashtu me lirinë. Ai filloi të ndihmonte ukrainasit të blinin pajisje ushtarake dhe më pas kuptoi se kishte një betejë më të madhe për të mbështetur në vendin e tij.

“Por më pas e kuptova se ne kemi disa vullnetarë ushtarakë bjellorusë, që nuk janë të pajisur shumë mire dhe vendosëm të fillojmë t’i ndihmojmë. Filluam t’u dërgojmë pajisje”.

Kirilli shpreson të shërbejë si shembull se shumë bjellorusë, ndryshe nga Lukashenko, nuk e mbështesin agresionin e Putinit.

“Ne ndjehemi fajtorë për popullin ukrainas, sepse tani për tani mbajmë pasaportë bjelloruse. Ne jemi armiqtë e tyre, sepse vendi ynë, që sot është gjithashtu i pushtuar nga tirani Lukashenko, shërben si pikënisje për bombardimet drejt qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës. Ne duhet t’i ofrojmë sa më shumë ndihmë Ukrainës dhe popullit të saj në luftën e tyre ndaj agresionit rus”, thotë Kirilli për Zërin e Amerikës.

Kirilli, si shumë të tjerë, u frymëzua nga protestat në Bjellorusi dy vjet më parë. Në atë kohë, protesta e tyre ishte paqësore dhe protestuesit nuk ishin të përgatitur për brutalitetin e forcave të Lukashenkos.

Tani, kundërshtarët e Lukashenkos po punojnë për t’u përgatitur për betejë.

Udhëheqja bjelloruse në mërgim muajin e kaluar e mbështeti regjimentin Pahonja. Sviatlana Tsikhanouskaya, gruaja që nga shumë besohet se është fituesja e ligjshme e zgjedhjeve të Bjellorusisë në vitin 2020, iu referua në Twitter njësisë si “baza për ushtrinë e re profesionale bjelloruse”.

Drejtuesi i njësisë, Vadim Prokopiev, e sheh miratimin e saj si hapin e parë drejt çlirimit të Bjellorusisë nga Lukashenko.

“Mendoj se ka ardhur koha që udhëheqja jonë, lidershipi ynë politik në mërgim të marrë masa më të ngutshme dhe më vendimtare. Nëse ukrainasit do të shohin potencial dhe fuqi të mjaftueshme, mendoj se njohja e një qeverie në mërgim do të jetë një lëvizje shumë e mirë dhe e fuqishme”, thotë për Zërin e Amerikës Vadim Prokopiev.

Ai thotë se regjimenti i tij po rritet dhe Zëri i Amerikës ka mësuar se së shpejti, disa instrukturë me përvojë, përfshirë veteranë të ushtrisë amerikane, do t’i bashkohen luftës.

(Zëri i Amerikës)