Milanoviq: Nisma “Ballkani i Hapur” nuk ka kuptim pa Kosovën

Prishtinë, 23 dhjetor 2021 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, tha të enjten se nisma “Ballkani i Hapur”, është e kotë, nëse në të Kosova nuk përfshihet si palë e barabartë.

“Nëse nisma është me qëllim të mirë, atëherë në të duhet të përfshihen të gjitha shtetet e këtij rajoni. Kosova është shtet dhe është njohur nga shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, nëse është e kundërta, atëherë çështja është se cilat janë motivet prapa kësaj”, tha Milanoviq.

“Nëse lihet anash Kosova, atëherë do të dihet qartë se cilat janë motivet prapa kësaj nisme”, tha ai gjatë vizitës zyrtare në Prishtinë, ku zhvilloi takime me Presidenten e Kosovës, VjosaOsmani, me Kryetarin e Kuvendit,Glauk Konjufca,dhe me Kryeministrin Albin Kurti.

Presidenti kroat vuri në dyshim vullnetin e Serbisë për integrime rajonale e evropiane. Ai tha se qeveria në Serbi është më shumë e interesuar të qëndrojë në pushtet.

“Serbia duhet të vendosë vetë se çfarë dëshiron. Ndërsa këto lëvizje me nismën Ballkani i Hapur, epo nuk është më viti 1914. Në rregull le të lëvizin njerëzit lirshëm, por pa Kosovën qëllimet janë të qarta pra nuk janë edhe aq të njerëzishme”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh edhe një here kundër përfshirjes së Kosovës në nismën “Ballkani i hapur”. Ajo tha se alternativa e vetme për Kosovën është procesi i Berlinit, si nismë gjithpërfshirëse, ku të gjitha shtetet janë të barabarta.

“Në momentin që Serbia heq dorë nga tendencat destabilizuese ndaj rajonit, në momentin që Serbia e njeh Kosovën si realitet i pakthyeshëm, si realitet që po ec përpara dhe assesi nuk do të kthehet prapa, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e (Aleksandër) Vuçiçit se i intereson bashkëpunimi rajonal”, tha presidentja Osmani. 

“Prandaj Kosova e ka bërë të qartë që alternativa e vetme që e shohim për të ecur drejt strukturave euro-atlantike, është duke qenë pjesë e Procesit të Berlinit, ku që nga fillimi ka vlejtur parimi i barazisë dhe parimi i gjithëpërfshirjes”, theksoi ajo.

Presidentja Osmani tha militarizimi i Serbisë tregon se cili është qëllimi i tij i vërtetë.

Presidenti kroat tha se nuk sheh rrezik për Kosovën nga armatosja e Serbisë viteve të fundit.

“Nuk është duke ndodhur asgjë përveç se shteti fqinj është duke u armatosur, me armë më të cilat mund të zhvillojë një luftë jo më gjatë se 15 minuta derisa nuk përfshihet NATO apo dikush tjetër dhe sa i përket kësaj nuk shoh ndonjë rrezik për Kosovën, nuk ka”, tha presidenti kroat, i cili do të takojë gjatë vizitës në Kosovë rreth 130 ushtarë të vendit të tij që shërbejnë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*