Milosheviqi ka vdekur, por idetë e tij lulëzojnë ende

Thomas BREY, DW

Vetëm para pak ditësh ambasador i Serbisë në Rusi u emërua Momçilo Babiq. Në vitet 90-të, ky njeri bënte pjesë në rrethin e ngushtë të familjes së Slobodan Milosheviqit.

Sot (12.02) 20 vjet në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë filloi procesi gjyqësor kundër Milosheviqit. Presidenti serb që gati ishte deklaruar sundimtar i pakufizuar, akuzohej për krime lufte, për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit. I akuzuari, politika e të cilit çoi në luftërat që e shpërbënë shtetin shumëkombësh, Jugosllavinë, nuk e pranoi legjitimitetin e gjykatës. Sipastij, ajo ishte thjesht “ilegale”.

Katër vjet më vonë Milosheviqi ndërroi jetë nga infarkti në zemër, para se t’i shqiptohej dënimi.

Revolucion pa ndryshim

Me largimin e tij nga pushteti, përmes të ashtuquajturit revolucioni i tetorit, në vitin 2000, filloi të ketë shpresë për Serbinë, pas viteve në autokraci dhe luftërave në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Xhinxhiq, i cili kishte studiuar në Gjermani dhe ishte i lidhur me Perëndimin, konsiderohej si garant për reformat dhe shfuqizimin e elitës së vjetër. Por, programi i tij u ndërpre papritur, pasi u vra nga krerë të njësisisë speciale paramilitare të Milosheviqit, “Beretat e kuqe”. Vrasësit që janë dënuar me 40 vjet burg tani sërish i zënë kryetitujt e mediave. Aktualisht ka një peticion që kërkon lirimin para kohe të të dënuarve.

Përpjekja për rehabilitimin e vrasësve të Xhinxhiqit i përshtatet peizazhit aktual politik. Ideja e dikurshme e Milosheviqit që të gjithë serbët të jetojnë në një shtet të përbashkët çoi në luftë e shkatërrim para më shumë se dy dekadash. Përmes luftërave të përgjakshme u përpoq të arrihej qëllimi për krijimin e “Serbisë së Madhe”.

Nga viti i kaluar ky program nacionalist është futur sërish në sallonet e politikës, përmes  sloganit “Bota Serbe”. Kredoja e tij është: Serbia duhet të kudjeset për njerëzit e vet në vendet fqinje, me qëllim që ata të mos diskriminohen. Por ky është vetëm “justifikim” i qëllimit të Beogradit që të përzihet sërish në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë, në Kroaci e në Mal të Zi, kudo ku jetojnë pakica serbe më të mëdha.

Të vjetrit e të rinjtë

Është rrjedhojë logjike që idetë e Milosheviqit të ringjallen sërish, sepse asaj sot prapë iajapin tonin krerë të politikës së vjetër, në krye me presidentin e gjithëfuqishëm, Aleksandar Vuçiq.

Në kohën e Milosheviqit ai punonte për një program propagandistik të serbëve boshnjakë, kurse në periudhën 1998-2000 ai ishte ministër i Informacionit. Që atëherë emri i tij është simbol i presioneve ndaj mediave të huaja e vendase.

Sot po përdoren sërish recetat e vjetra. Mediat janë në shërbim të Milosheviqit kur të dëshirojë ai. Këtë e garantojnë gjelat e fryrë mediatikë  të rrethit të pushtetmbajtësit, si Zeljko Mitroviq, (“Milosheviqi është hero”), televizioni i të cilit, “Pink”, është si shtëpi e presidentit.

Ivica Daçiq, pasuesi i Milosheviçit në krye të Partisë Socialiste, i cili ka qenë ministër i Jashtëm e kryetar i Qeverisë, sot është kryetar i parlamentit.

Milorad Vuçeliq, po ashtu kuadër i Milosheviqit, nga viti 1992 deri në vitin 1995 ka qenë drejtor i përgjithshëm i qendrës propagandistike, televizionit shtetëror të Serbisë, RTS, sot e  drejton gazetën e njohur bulevardeske “Novosti”. Kjo gazetë, ashtu si më parë, në artikuj të panumërt, përpiqet të propagandojë se serbët shtypen prej shekujsh nga popujt fqinjë dhe nga bota e huaj.

Kësaj liste nuk mundt’i mungojnë as emrat e të dënuarve për krime lufte, si: gjenerali Vladimir Lazareviq apo Dragan Vasiljeviq (Capetan Dragan) që sot nderohen nga shteti.

Opozita e sotme e ndodhur nën presion dhe historianët kritikë nuk bien në ujdi vetëm për një gjë: “nëse sot mbretëson një situatë si ajo e viteve 90-të” apo sot është “më keq se në vitet 90-të”.