Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor diskutojnë sot për Procesin e Berlinit

Berlin, 8 qershor 2021 – Të martën mblidhen virtualisht ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të disa vendeve të BE-së.

Takimi, i cili do të udhëhiqet nga ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit.

Zëvendëszëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Andrea Sasse, that ë hënën se në takim, përveç ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të marrrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve anëtare të BE-së, si edhe Komisioneri i Zgjerimit, Olivér Várhelyi, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino.

Konferenca ka për qëllim të parapërgatisë samitin e ardhshëm të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet nën drejtimin e kancelares Angela Merkel, në fillim të muajit  korrik.

Procesi i Berlinit, që është një nismë e kancelares gjermane, Angela Merkel, konsiderohet si “paradhomë e BE-së”. Në vitin 2014, zonja Merkel e ndërmori këtë nismë, me synim përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të ndihmonte procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve tërajonit: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Pas Gjermanisë, si nismëtare, organizatorë të samitit kanë qenë edhe Austria, Franca, Britania e Madhe, Italia, Polonia dhe Bullgaria/Maqedonia e Veeriut. Një nga arritjet e deritashme të prorcesit të Berlinit është miratimi i planit për tregun e përbashkët rajonal dhe afrimi i të rinjve nëpërmjet rrjetit RYCO (Regional Youth Cooperation Office).

Megjithatë konfliktet e pazgjidhura ndërmjet shteteve në rajon kanë qenë pengesë e vazhdueshme për realizimin e nismave të dala nga Procesi i Berlinit.

(r.m.)