Ministrat shqiptare nuk shkojnë në Beograd

Mbahet mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni-Serbi  pa ministrat shqiptarë – Vendimi duket se ka ardhur në çastet e fundit, si pasojë e situatës së krijuar pas dështimit të Samitit të Ohrit, ku Kosova nuk u ftua, ndërsa Shqipëria e bojkotoi, pasi presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov, vendosi të mos e ftojë presidentet Atifete Jahjaga

 

Nga Zejnulla Veseli

Shkup, 3 qershor – Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski, dy zëvendëskryeministrat dhe 6 ministrat e kabinetit të tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së në Beograd mbajtën mbledhjen e përbashkët midis qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë.  Edhe pse ministrat shqiptarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)  parimisht e kishin përkrahur këtë mbledhje pasi zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit rajonal, si parakusht për procesin euro-integrues, asnjëri nga ministrat shqiptarë nuk morën pjesë në këtë mbledhje. Paraprakisht në këtë mbledhje planifikohej të merrnin pjesë dhe tre ministrat shqiptarë ai i Ekonomisë, Valon Saraçini, ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, ministri i Ekologjisë Abdylaqim Ademi si dhe zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi, si drejtues të dikastereve që pritej të jenë temë e diskutimit mes shefave dhe ministrave të qeverisë së Maqedonisë dhe Serbisë. Por si pasojë e situatës së krijuar pas dështimit të Samitit të Ohrit, kur Kosova nuk u ftua nga nikoqiri i Samitit, presidenti  i Maqedonisë Gjorgji  Ivanov , ministrat shqiptare nga partia në pushtet BDI, vendosen të mos marrin pjesë në këtë mbledhje në shenjë revolte ndaj injorimit që Maqedonia i bëri Kosvës për të mos e ftuar në Samitin e Ohrit.

Aleksandar Gjeorgjiev, zëdhënës i qeverisë së Maqedonisë konfirmon se në mbledhjen e përbashkët qeveritare Maqedoni- Serbi që po mbahet në Beograd, marrin pjesë kryeministri Gruevski dhe ministrat nga radhët e partisë maqedone në pushtet VMRO-DPMNE por jo edhe ministrat nga partia shqiptare në pushtet BDI.

Mungesën e tyre Gjeorgjiev e arsyeton me angazhimet e caktuara paraprakisht nga ministrat shqiptarë.

“Në përputhje me rendin e ditës, lidhur me resorët në të cilat ministrat janë nga partia e BDI-së, për shkak të obligimeve të caktuara paraprakisht nuk kanë mundur të marrin pjesë. Ministri i ekologjisë Abdylaqim Ademi në vend të tij ka dërguar zëvendësin Stevo Temelkovski”, thotë Gjerogjiev.

Ndërkohë nga partia shqiptare në pushtet informojnë se që nga dita e premte e kanë njoftuar shefin e tyre Grujevski se ministrat shqiptarë nuk do të udhëtojnë për në Beograd. Megjithatë zëdhënësi Gjeorgjiev  thotë se të gjithë përfaqësuesit e qeverisë njëzëri kanë mbështetur mbajtjen e seancave të këtilla me qeveritë e vendeve fqinje me çka praktikohet bashkëpunimi rajonal.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi gjithashtu konfirmoi se mbledhja po mbahet në Beograd por se ai personalisht nuk merë pjesë në këtë takim për shkaqe objektive pasi ai tani më është duke realizuar ofensivën diplomatike me disa shtete të Evropës anëtare të BE-së. Sipas tij, mbledhje të tilla të përbashkëta do të bëhen edhe me vendet e tjera fqinje.

“Takime të tilla do të ketë jo vetëm mes qeverive të Maqedonisë dhe Serbisë por do të ketë edhe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë me Kosovën dhe shteteve të tjera që do të jenë të interesuara siç janë Greqia dhe Bullgaria. Është e paraparë të diskutohen temat që kanë të bëjnë me bashkëpunim rajonal në fusha të ndryshme të infrastrukturës dhe temave që kanë të bëjnë me integrimet euro-atlantike. Bashkëpunimi rajonal mbetet si paradhomë e prioritetit tonë të përgjithshëm të integrimeve euro-atlantike dhe në këtë drejtim vazhdon bashkëpunimi me të gjitha vendet me të cilat ka mundësi për avancim dhe bashkëpunim në të gjitha fushat. Pas Serbisë, tani më procedurat janë në fazë të avancuara edhe me Shqipërinë dhe Kosovën”, thotë Besimi.

Edhe zëdhënësi shqiptar në qeverinë e Maqedonisë, Muhamet Hoxha thotë se ne Beograd nuk merr pjese asnjë nga ministrat shqiptarë por se pas mbledhjes me qeverinë e Serbisë, shumë shpejt do të zhvillohet edhe një seancë e përbashkët me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe më pas, edhe me atë të Kosovës dhe vendet e tjera fqinjë.

“Prioritet i Maqedonisë është anëtarësimi në BE dhe NATO, përkatësisht në strukturat euroatlantike dhe një nga kushtet e këtij synimi është edhe bashkëpunimi rajonal. Mbajtja e seancave të përbashkëta është njëra nga llojet e këtij bashkëpunimi dhe parashihet që seanca të përbashkëta të kemi me të gjitha vendet fqinje, përfshirë këtu edhe Shqipërinë dhe Kosovën. Sa i përket Shqipërisë, kjo çështje është biseduar në mes dy kryeministrave dhe institucionet përkatëse punojnë në përgatitjen e takimit të përbashkët. Në këso takime ose seanca të përbashkëta, diskutohen projektet e përbashkëta të dy vendeve me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe realizimi me sukses i projekteve”, deklaroi Hoxha.