Ministri Filipçe dorëhiqet pas zjarrit në spitalin e Tetovës

Shkup, 10 shtator 2021 – Ka dhënë dorëheqje ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe. Dorëheqja e tij vjen y ditë pas shpërthimit të zjarrit në spitalin modular në Tetovë, ku e humbën jetën 14 persona.

Filipçe ka thënë se dorëheqja është akt moral i tij.

“Si mjek dhe ministër kam integritetin tim, për këtë sot për arsye morale, kam dorëzuar me shkrim dorëheqjen time deri të kryeministri Zoran Zaev”, ka deklaruar ministri Filipçe në një konferencë për media.

Të premten kanë dhënë dorëheqje edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, drejtori i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, dhe shefi ekonomik i Spitalit, Artan Etemi.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se dorëheqjen e ofron si një akt moral.

“Edhe përkundër faktit se nuk kam asnjë lidhje me procedurat vënjes së spitalit modular, edhe pse nuk kam asnjë lidhje as me pjesën organizative, dorëheqja është akti më i vogël që mund ta bëj në këto momente, për të respektuar viktimat, të lënduarit, opinionit dhe më së shumti veten”, ka shkruar Hasani.

Ndërsa drejtori i Spitalit, Florin Besimi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar se si mjek që tërë jetën ia ka kushtuar shërimit të bashkëqytetarëve të tij, dhe si njeri i parë i Spitalit Klinik të Tetovës, me të cilin udhëheq gjatë viteve të fundit, ndjen përgjegjësi morale nga ngjarja e tmerrshme në të cilën u shuan jetë njerëzish.

“Me dhimbje të pashuar për çdo viktimë dhe çdo familjarë të tyre, ju informoj se për shkak të kësaj përgjegjësie morale që e ndjej, jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Spitalit Klinik në Tetovë. Pas kësaj ngjarje të tillë tragjike dhe fatkeqe, ky vendim është i pashmangshëm”, ka thënë Besimi.

Ai ka thënë se shpreson që të përfundojë hetimi i plotë sa me shpejtë dhe të zbardhen arsyet e zjarrit në Qendrën modulare të Klinikës së Tetovës për pacientët me COVID-19.

Dorëheqja e zyrtarëve mësohet të jetë si rrjedhojë e protestave të cilat janë paralajmëruar për ditën e shtunë në qytetin e Tetovës.

Të premten në orët e pasditës një numër i madh i qytetarëve u kanë dhënë lamtumirën e fundit 14 viktimave nga tragjedia që ndodhi të mërkurën në mbrëmje.

Megjithëse drejtuesit e institucioneve, paraprakisht kishin deklaruar se nuk është koha për dorëheqje, ata kanë nënvizuar se nuk do t’i shmangen përgjegjësisë, por njëherë do të presin përfundimin e hetimit.

“Vlerësoj se tash është koha të marrim përgjegjësinë mbi supe dhe ta menaxhojmë situatën, duke qenë të gjithë në ballë të kësaj situate”, kishte deklaruar thënë zëvendëskryeministri Artan Grubi.

Por partitë politike në opozitë, kanë theksuar se përgjegjësia morale nuk është diçka që konstatohet nga hetimet, por ajo është një çështje që e ndjejnë, siç kanë theksuar, vetëm ata që janë të njerëzishëm.

Prokuroria të premten ka bërë të ditur se në mesin e viktimave, janë dhe dy persona që nuk ishin pacientë. Por nga spitali i përkohshëm COVID-19 në Tetovë, kanë mohuar të jenë thyer protokollet për trajtimin e të infektuarve dhe se në spital, janë lejuar të kujdesen familjarët në mungesë të stafit mjekësor.

“Nuk kemi të dhëna të tilla, tani kërkojmë dhe do të shohim nëse ka ndodhur kjo”, ka thënë Gëzim Nuredini, koordinator i spitalit të përkohshëm për trajtimin e të sëmurëve nga COVID-19.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së sotme është konfirmuar mbështetja nga NATO-ja, gjegjësisht Gjermania, me çka miratohet vendimi që në vend të arrijnë ekspertë të shkallës më të lartë për ekspertiza dhe hetime gjatë fatkeqësive, që të ndihmojnë në zbulimin dhe vërtetimin e shkaqeve të zjarrit, në spitalin e përkohshëm për trajtimin e të sëmurëve nga COVID-19.

Ndryshe presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, pasi paralajmëroi ardhjen e një ekipi të ekspertëve ndërkombëtarë dhe hetime të shpejta për këtë rast, tha se përpos përgjegjësisë penale, do të kërkojë dhe përgjegjësi morale.

(Zërijeta Hajro Jajaga, REL)

Comment

*