Ministri i Brendshëm i Bullgarisë: Është i vështirë identifikimi i viktimave

“Kemi një tragjedi të madhe dhe përfitoj nga rasti për të shprehur ngushëllimet e mia për të afërmit e viktimave”.

Kështu ka thënë kryeministri i Bullgarisë, Stefan Janev, nga vendi i aksidentit tragjik ku humbën jetën 45 persona nga Maqedonia e Veriut, kur një autobus ka marrë flakë gjatë kthimit nga Stambolli i Turqisë.

Përveç Janev, në vendngjarje ishin ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Boyko Rashkov dhe zv. kryeprokurori Borislav Sarafov, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Le të shpresojmë se do të nxjerrim mësime nga ky incident dhe nuk do të lejojmë më incidente të tilla. Për momentin është e qartë vetëm se autobusi është i regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne e kemi informuar kryeministrin Zaev që herët në mëngjes”, tha Janev.

Ministri Rashkov tha se tragjedia do të sqarohet në detaje gjatë hetimeve.

“Nga përvoja ime do të thoja se nuk kam parë diçka të tillë më parë, kemi biseduar me kolegun Sarafov. Është e vështirë të identifikohet dhe të përcaktohet identiteti i personave. Udhëtarëve iu tha të kalonin nga një autobus në tjetrin gjatë udhëtimeve të veçanta. Katër autobusë lëviznin nga Stambolli në Shkup. Është e mundur që dikush të jetë transferuar, kështu që është e vështirë të thuhet numri i saktë i të vdekurve”, tha Rashkov.

Aktualisht është e paqartë nëse në autobus ishin saktësisht 52 persona apo një numër më i madh për shkak të transferimi të udhëtarëve.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme turke shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve në një aksidenti autobusit pranë qytetit bullgar Pernik.

“Me pikëllim mësojmë se ka shumë viktima dhe të lënduar si pasojë e zjarrit që shpërtheu në shtëpinë e të moshuarve në qytetin e Varnës më 22 nëntor 2021 në Bullgari dhe aksidentit shkaktuar nga një autobus me targa të Maqedonisë së Veriut pranë qytetit të Pernikut më 23 nëntor 2021. Shprehim ngushëllimet tona për familjet e viktimave, qeveritë dhe popujt e Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe u urojmë të lënduarve shërim të shpejtë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme turke. /Telegrafi/