Ministri i Jashtëm arabosaudit: Shqipëria partnere kyç bashkëpunimi

Kryeministri Rama, deklaratë të përbashkët me Ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan Al-Saud

Në konferencë me kryeministrin Edi Rama në Shqipëri, Ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princit Faisal Bin Farhan Al Saud ka vlerësuar bashkëpunimin me vendin tonë duke thënë se ky bashkëpunim do të vazhdojë në të gjitha sferat. Ai tha se bisedoi me kryeministrin Rama për çështjet politike, ekonomike dhe nismat në Rajon.

Më tej ai tha se Shqipëria është një partner kyç bashkëpunimi duke shprehur angazhimin e tij për vijmësinë e tij.

“Është kënaqësi për mua që kam ardhur në Shqipëri në këtë vizitë të parë dhe me kënaqësi ti kaloja përshëndetjet. Mbretëria jonë e vlerëson shumë miqësinë tonë që është fuqëzuar edhe nga vizita e kryeministrit Rama. Ne kemi patur një diskutim për bashkëpunimet në fushën ekonomike, politike, mjedisore dhe ka shumë gjëra që mund të bëjmë këtu.

Ne kemi rritur statusin e Komitetit në një nivel ministerial dhe shpresojmë që do të shtohet fokusi i punëve dhe shpresojmë të mblidhet së shpejti. Dëshironim të jepnim një sinjal shumë të qartë që jemi shumë të angazhuar për këtë marrëdhënie me Shqipërinë. Diskutuam për çëhtje në sferën politike, zhvillimet në Rajon dhe këtu ne kuptojmë  qasjet e përbashkëta për politikat. Dukë qenë se Arabia ka një program ambicioz ne mezi presim të bashkëpunojmë me të gjithë partnerët tanë dhe Shqipëria është një partner kyç bashkëpunimi. Kryeministri Edi Rama përmendi “Nismën e Gjelbët” që  është një iniciativë e rëndësishme dhe mezi presim të bashkëpunojmë. Dua të falenderoj kryeministrin, ministren e Jashtme dhe popullin shqiptar për mikpritjen. Keni angazhimin tim që ky bashkëpunim do të vijojë”- tha ai.

balkanweb

###

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria dhe Arabia Saudite janë në kushtet kur realisht mund të shohin me optimizëm mbi mundësitë e investimeve, rritjen e volumit tregtar mes dy vendeve dhe bashkëpunimin ekonomik në tërësi”.

Kryeministri Rama priti sot në një takim në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, Princin Faisal Bin Farhan Al Saud, ndërkohë që pas takimit dhanë edhe një deklaratë për mediet.

Rama tha se vizita është në kuadër të rivendosjes së kontakteve të drejtpërdrejta dhe për të ristartuar një proces bashkëpunimi të thelluar, për të cilin kemi vendosur piketat më parë gjatë vizitës time në Riad dhe në takimin me Princin e Kurorës.

“Së pari dua t’i shpreh mirënjohjen Princit për gjithë përkushtimin që ai ka treguar për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Ka qenë ai që e ka mbajtur gjallë bashkëpunimin dhe komunikimin në kushtet kur për shkak të pandemisë kontaktet u vështirësuan jashtëzakonisht shumë dhe të gjitha shkëmbimet e planifikuara u paralizuan”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo vizitë është një shenjë e drejtpërdrejtë që gatishmëria dhe dëshira e miqve tanë sauditë për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë është e madhe”.

“Bashkëndamë dhe kënaqësinë që numri i vizitorëve nga Arabia Saudite si turistë në Shqipëri ka pësuar një rritje të ndjeshme edhe falë vendosjes së linjave direkte me Lindjen e Mesme, por edhe falë nxitjes që vetë Princi i Kurorës dhe Qeveria Saudite i ka bërë kësaj marrëdhënie”, tha Rama.

Kryeministri tha se ne jemi shumë shpresëplotë që kjo vizitë e parë është vetëm hapja e një kapitulli vizitash dhe takimesh bilaterale.

“Sot, unë ja ripërsërita ministrit ftesën për të pritur këtu Princin e Kurorës, dhe kjo lidhet me gjithë regjimin e lëvizjeve të Princit në kushtet kur vigjilenca ndaj rrezikut të COVID-19 është e lartë. Po ashtu e falënderova Princin, por përmes tij edhe Princin e Kurorës dhe Madhërinë e tij të Arabisë Saudite, për ndihmën e vazhdueshme që Arabia Saudite i ka dhënë Shqipërisë, sidomos në momentet e vështira kur ka qenë fjala për të qenë pranë nesh”, tha Rama.

Kryeministri informoi se në takim u ra dakord për të mbledhur sa më parë Komitetin e Përbashkët që u mblodh në vitin 2019, por u bllokua për shkak të pandemisë, pikërisht për të adresuar prioritetet në funksion të thellimit të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri vlerësoi po ashtu edhe nismën madhështore të Arabisë Saudite për rritjen e përmasës së gjelbër të gjithë Lindjes së Mesme dhe për një kontribut edhe në shkallë globale përmes projektit të mbjelljes së 50 miliardë pemëve.

“Ne do të ishim shumë të lumtur të ishim pjesë e kësaj nisme, pavarësisht numrit të pemëve dhe në funksion të një axhende të përbashkët të të gjithë Aleancës së vendeve për të përballuar sfidën e madhe të mjedisit dhe ngrohjes globale”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri ritheksoi se Arabia Saudite e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka qenë një nga mbështetëset e rëndësishme të të gjitha përpjekjeve tona të kandidaturave të Kosovës në institucionet e ndryshme ndërkombëtare.

“Patjetër që zëri i Arabisë Saudite është me shumë peshë dhe ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me Princin Faisal. Jemi vërtetë me fat që është sot në krye të Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite për shkak të njohjes së thellë që ka për rajonin tonë, në mënyrë që të rrisim ndjeshmërinë dhe të rrisim nga ana tjetër edhe qartësinë e atyre vendeve të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe të Ligës Arabe që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Rama.

Në përfundim, Kryeministri falënderoi Ministrin e Jashtëm edhe për angazhimin e tij për t’i dhënë një shtysë të rëndësishme rritjes së komunikimit mes kompanive dhe për të krijuar një hapësirë ndërveprimi në sektorin privat në funksion të interesave të ndërsjella për të rritur investimet dhe volumin tregtar mes Shqipërisë dhe Arabisë Saudite”, tha ai.

atsh

Comment

*