Ministri Latifi: Kam ardhur nga Amerika t’ia kthej borxhin Kosovës

Prishtinë, 21 dhjetor 2021 – Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka raportuar të martën në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës mbi prioritetet dhe objektivat e ministrisë që e drejton ai.

Ministri Latifi ka thënë se është i bindur se sistemi shëndetësor në Kosovë mund të përmirësohet. Ai ka thënë se me këtë bindje dhe me dëshirën që t’ia kthejë borxhin Kosovës ka ardhur nga Amerika, nga një institucion shëndetësor shumë prestigjioz.

“Unë e kam lënë një institucion jashtëzakonisht të fuqishëm shëndetësor, ku katër kirurgë të pediatrisë i bëjnë 4-5 mijë operacione në vit ose ku bëhen operacione të jashtëzakonshme. Kam ardhur këtu vetëm me një qëllim shumë të thjeshtë, t’ia kthej borxhin Kosovës. Unë jam përgatitur këtu. Këtu e kam mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë, këtu e kam kryer Fakultetin e Mjekësisë. Për arsyet që tani po ikin specializantët dhe mjekët, edhe unë kam shkuar në Amerikë”, ka thënë ai, transmeton EkonomiaOnline.

Ministri Latifi ka thënë se sistemi shëndetësor në Kosovë mund të përmirësohet farë lehtë, nëse ka vullnet politik dhe nëse krijohet  një ekip i mirë professional e I përkushtuar.

“Për ta rregulluar shëndetësinë në Kosovë dhe kudo në botë nuk është fare vështirë, vetëm nëse kemi përballë idenë dhe konceptin kush na duhet, për çfarë punojmë. Për të ofruar për pacientët kujdes e shërbime të standardeve më të larta, ne duhet të kemi ekip të mirë, ekip që formohet prej mjekëve, infermierëve, teknikëve, punëtorëve shëndetësorë, administratorëve, prej të gjithë neve”, ka thënë ministry Latifi.

Ai ka thënë se projekti për ristrukturimin e sistemit shëndetësor të Kosovës bazohet në 7 shtylla. Ndër të parat, ai e ka përmendur avancimin e sistemit informativ shëndetësor, avancimin e teknologjisë shëndetësore dhe reformimin e agjencive shëndetësore.

Ministri Latifi ka thënë se një  prej objektivave të ministrisë qëe edrejton është edhe krijimi i fondit të sigurimeve shëndetësore.

Ai është pajtuar se sistemi shëndetësor i Kosovës tani ballafaqohet me rrezikun e largimit të mjekëve e profesionistëve tjerë të fushës dhe ka theksuar se ministria që e udhëheq do të angazhohet për rritjen e pagës së priofesionistëve dhe për përmirësimin e kushteve të punës në institucionet shëndetësore publike dhe mbikëqyrjen e kontrollin e institucioneve shëndetësore private.

(r.m.)

Comment

*