Ministria e Financave ul vlerën minimale për pjesëmarrje në ankandet e obligacioneve

Tiranë, 17 tetor 2022 – Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në lekë.

Me një ndryshim në udhëzimin përkatës të miratuar këtë javë, shuma minimale e pjesëmarrjes në ankand është ulur në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë. Për ankandet e obligacioneve në valutë, shuma minimale e pjesëmarrjes ngelet në vlerën e 3000 euro dhe 3000 dollarë amerikanë, ashtu si në udhëzimin e mëparshëm.

Vendimi për uljen e shumës minimale të pjesëmarrjes për obligacionet në lekë ka qëllim të nxisë pjesëmarrjen në ankande të investitorëve të vegjël dhe kryesisht të individëve.

Që prej muajit mars, kur Banka e Shqipërisë nisi normalizimin e politikës monetare, Ministria e Financave është përballur shpeshherë me një pjesëmarrje të ulët dhe në disa raste nuk ka qenë e mundur të plotësohet shuma e shpallur për financim.

Megjithëse në përgjithësi tregu i brendshëm ngelet likuid, arsyeja kryesore e pjesëmarrjes më të ulët gjatë muajve të fundit ka qenë marrja e pozitave pritëse nga investitorët e mëdhenj, e nxitur nga rritja e shpejtë e yield-eve.

Në këtë situatë, Ministria e Financave ka vendosur të lehtësojë aksesin e individëve në ankande, duke ulur shumën minimale të kërkuar për pjesëmarrje. Nga ana tjetër, ky vendim shton konkurrencën mes produkteve dhe instrumenteve të ndryshme në tregun e brendshëm financiar.

Lehtësimi i pjesëmarrjes në ankandet e bonove dhe obligacioneve për individët mund të shtojë trysninë mbi bankat për të rritur normat e interesit të depozitave, duke lehtësuar përcjelljen e kursit të politikës monetare në të gjitha produktet e tregut.

Këtë muaj, edhe Banka e Shqipërisë vendosi të anulonte vendimin e gushtit 2020, që mbyllte shërbimin e ndërmjetësimit për pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit. Ky vendim ka qëllim të ruajë konkurrencën dhe të mos kufizojë alternativat e individëve për pjesëmarrje në ankandet e bonove.

Ndërkohë, për obligacionet, pjesëmarrja në ankande është e mundur vetëm nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj. Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë Alpha Bank, ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.

Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.

Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.

Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëhere mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjestimi). Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese.

(Monitor)