Ministria e Jashtme e Kosovës: Jemi në kontakt me tre kosovarë në Afganistan

Prishtinë,16 korrik 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës thotë se është në kontakt me tre shtetas të Kosovës, me qëllim që t’i evakuojë nga Afganistani.

Në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë, MPJD tha se është duke punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë që të evakuojë të gjithë shtetasit e Kosovës nga Afganistani.

“Deri në mesditën e së hënës, MPJD është në kontakt të drejtpërdrejt me tre shtetas dhe po angazhohet për t’ju dalë në ndihmë. Ata janë në gjendje të mirë dhe nuk janë të rrezikuar”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

MPJD po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.

Nga kjo ministri nuk kanë treguar sesa është numri i shtetasve të Kosovës që gjenden në Afganistan.

Kosova, ndërkaq, ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht afganët që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Më 15 gusht, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se ka pranuar “pa hezitim” kërkesën që ia ka paraqitur në korrik, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett në emër të presidentit, Joe Biden.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për REL-in se po komunikon me autoritetet amerikane, për çështjen e strehimit të afganëve, duke shtuar se besojnë se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar që prej se trupat ndërkombëtare, në krye me SHBA-në, njoftuan në maj se deri më 31 gusht do të tërhiqen nga vendi.

Më 15 gusht, talibanët hynë në kryeqytetin afgan, Kabul, teksa presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua nga vendi.

Në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit, që po menaxhohet nga trupat amerikane, ka tollovi, pasi shumë afganë, nga frika nga talibanët, po duan të largohen nga shteti.

Shumë misione diplomatike në Kabul, përfshirë atë të SHBA-së, kanë nisur evakuimin e stafit të tyre dhe afganëve që kanë bashkëpunuar me ta.

(REL)