Ministria e jashtme gjermane: Gjermania nuk ka të bëjë me “non-paper”

Berlin, 28 prill 2021 – Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka reaguar ndaj raportimeve që e implikojnë Gjermaninë në hartimin e të ashtuquajturit “non paper” që u publikua në median kosovare.

Në reagimin e ministrisë gjermane thuhet se qeveria gjermane nuk ka marrë pjesë në hartimin e asnjë “non paper”.

“Përkundrazi, ministri i Jashtëm Maas theksoi edhe një herë gjatë vizitave të tij në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar se “e gjithë mbështetja jonë shkon në dialogun e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, të moderuar nga BE, nën udhëheqjen e të dërguarit special të BE-së Miroslav Lajcak. Qëllimi i këtij dialogu për normalizimin është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që kontribuon në stabilitetin rajonal, përfshin njohjen reciproke dhe kështu u mundëson të dy vendeve një perspektivë reale të BE dhe anëtarësimin në BE”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Lidhur me raportimet që e implikojnë Gjermaninë në hartimin e të ashtuquajturit “non paper” që u publikua të martë, ka reaguar edhe ambasadaori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde . Ai i ka quajtur “fake news” këto raportime.

Edhe ambasada e Francës në Kosovë i ka hedhur poshtë raportimet se ky vend është përfshirë në hartimin e “non-paper” ku jepen sugjerime për marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

(r.m.)