Ministria që nuk i duhet

Disa mendime për vendimin e kryeministrit Rama për të vepruar edhe si ministër i Jashtëm

Si mbajtës i dy posteve me ngarkesën më të madhe të punës në qeveri, Edi Rama do të jetë i detyruar të lërë zëvendësin e tij të mbulojë një pjesë të agjendës së Ministrit të Jashtëm.
Të them të drejtën, nuk e di se cilët do të jenë më problematikë, rastet kur Shqipëria do të jetë e mbipërfaqësuar në takime e forume ndërkombëtare, apo kur të jetë e nënpërfaqësuar.
Sa herë që Rama do të ulet në nivelin e ministrave të Jashtëm apo kur një zëvendës i tij do të jetë mes shefave të homologëve të tij, Shqipëria do të ketë një ndërlikim që mund të ishte shmangur.
Sigurisht që nuk ndodh për herë të parë në histori, po gjithmonë kanë qenë situata të detyruara, jo kriza të vetëkrijuara as impulse për të bërë diçka thjesht se ke pushtetin ta bësh.
Pas një debati, gjoja për Kosovën, mes tij dhe Presidentit Meta, Rama reagoi duke u bërë vetë ministër i Jashtëm. Kishte vërtet shumë probleme me arsyet e refuzimit nga Presidenti Meta të kandidatit nga Kosova. Po kishte edhe arsye legjitime. Ajo që nuk shkonte ishte këmbëngulja e të dyve për të folur në emër të Kosovës. Sidoqë të jetë, Meta mbetet një nga kufizuesit e paktë të një kryeministri të superfuqishëm në një republikë parlamentare, ku parlamenti ka hequr dorë nga pushteti i tij.
Krahasimi se edhe Greqia e ka kështu është pavend dhe nuk do të thotë asgjë, si shumica e krahasimeve, ato vlejnë për debatet publike në televizion më shumë sesa ofrojnë zgjidhje praktike në punë. Të paktën dy gjëra të vijnë lehtësisht në mend. E para që Greqia ka një strukturë qeverie, me dy rende ministrash, e me konceptin e ministrit plotëues, që një ndryshim i tillë është më i përtypshëm dhe e dyta që as Greqia e as Tsipras nuk janë modele suksesi për t’u kopjuar pa një proces pak më të gjatë mendimi sesa thjesht sfidimi i Ilir Metës.
Greqia ndodhej përpara një marrëveshjeje historike, ku Tsipras kishte luajtur një rol të dorës së parë. Në fund të fundit, ai mund të ketë kërkuar të vijojë punën e nisur bashkë me Kotsias,-i largimi i të cilit kishte ardhur nga një krizë banale në qeveri, që sidoqoftë është më mirë sesa largimi pa arsye nga puna i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Në rastin e Ramës, kriza e ministrit të Jashtëm po ndodh vetëm për kapriçio personale.
Ndoshta Rama ka ndërmend ta shfrytëzoje kohën e tij në këtë post për një marrëveshje të rëndësishme me Greqinë, ose me ndonjë vend tjetër. Më një shumicë të fuqishme votash në Kuvend, Rama ka në fakt në dorë një mundësi historike për të bërë marrëveshje me rëndësi afatgjatë. Po opozita nuk është e vetmja që dyshon nëse Rama është figura që i duhen lënë në dorë vendime të mëdha historike.
E vërteta cinike është se me apo pa simpati për Ramën, janë figura si ai që e bëjnë historinë. Pas Berishës dhe Nanos, ai është kryeministri tjetër në histori që komandon një shumicë parlamentare të pacënueshme, me fuqinë për të bërë mirë e për të bërë dëm kombit të tij ashtu si dy të tjerët.
Pak gjëra e vënë në sprovë njeriun si pushteti i pakufizuar. Ata që e ndjekin punën e Ramës kanë arsye të shqetësohen për luhatjet në veprimtarinë e tij. Nga gati një vit përgjumje vijnë ndryshime tepër drastike. Nga injorimi i protestave vjen trumbetimi i tyre si sinjale të mëdha historike.
Rama ka ende kohë të shpëtojë mandatin e tij si kryeministër duke bërë gjëra që historia do t’ia vlerësonte. Po reagime si ai ndaj raportimit hetues nga “Zëri i Amerikës”, nuk premtojnë mirë. Inati ndaj medias jashtë vendit që nuk është e njëanshme, vetëm sa shton evidencën e kritikëve sipas të cilëve Rama po përpiqet ta kufizojë rëndë lirinë e medias në vend. Nëse vërtet dëshiron të kurorëzojë me sukses mandatin, Rama duhej ta priste raportimin nga “Zëri i Amerikës” si një ndihmë konkrete për të përmirësuar qeverisjen e tij dhe partinë që kryeson.
Në këto rrethana, shumë do të varet nga vetëpërmbajtja dhe ndjenja e përgjegjësisë së vetë kryeministrit. Vendimi i tij për t’u bërë edhe ministër i Jashtëm të bën pesimist. Nëse donte vërtet të impresiononte le të bëhej ministër i Brendshëm dhe të merrej ballasi me atë që po e dëmton Shqipërinë madje edhe në politikën e Jashtme. Me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Oktapodi i korrupsionit shqiptar, me disa këmbë të ngatërruar edhe në karriket e kësaj qeverie kërkon një sopatë të fortë. Në një kohë që njerëzit humbasin besimin te institucionet dhe te e ardhmja më këtë klasë politike në përgjithësi e këtë shumicë qeveritare, vendimi i Ramës për t’u përqendruar në politikën e jashtme, është në kundërshtim të plotë me fjalimin që mbajti në konferencën e partisë ku reflektoi mbi protestën studentore dhe bëri ndryshimet në qeveri. Ndryshe nga synimi i atij fjalimi. me kostumin e ministrit të Jashtëm, Rama ngjan si dikush që nuk e ka kuptuar mesazhin e protestës, në mos që nuk do t’ia dijë vërtet për të. (Ruben Avxhiu)