Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu fillon vizitën në Tiranë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u prit në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Knid Ndrenika

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bisedoi në Tiranë me zyrtarët shtetërorë, me të cilët reforma në Drejtësi dhe sfidat në sistem në Shqipëri dhe në Kosovë ishin temë bosht.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela i tha zonjës Haxhiu se vlerësonte bashkëpunimin e deritashëm me Kosovën duke theksuar rritjen e efikasitetit për ndihmën e ndërsjellë ligjore.

Bashkëbiseduesit vërejtën se është e nevojshme rritja e bashkëpunimit gjyqësor për goditjen e veprimtarive kriminale.

Zoti Çela dhe ministrja Haxhiu folën për arritjet dhe sfidat, me të cilat përballet prokuroria në të dy vendet kur reforma në Drejtësi dhe procesi i vetingut mbeten përparësi.

Në takim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, zonja Haxhiu tha se Kosova është e interesuar të marrë nga Shqipëria përvojën për vetingun e magjistratëve.

Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, ministrja Haxhiu i tha se për reformën në drejtësi dhe vetingun që sapo ka nisur, Kosova do të shfrytëzojë përvojën e suksseshme të Shqipërisë.

Zonja Haxhiu ndërsa bisedon të mërkurën me ministrin Ulsi Manja, tha se me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë bashkëpunimi i shkëlqyer do të vazhdojë në të ardhmen.