Ministrja Gërvalla i shkarkon 12 ambasadorë “politikë”

Prishtinë, 19 maj 2021 – Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, i ka shkarkuar 12 ambasadorë.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kushtrim Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se të gjithë ambasadorët e shkarkuar ishin emëruar politikisht në këtë detyrë, por nuk i ka publikuar emrat e ambasadorëve të shkarkuar. Ai ka thënë se minsitrja Gërvalla do ta publikojë të enjten vendimet për shkarkime dhe detaje lidhur me këto vendime.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Gazeta Express ka mësuar nga burimet e saj emrat e 12 ambasadorëve të shkarkuar nga ministrja Gërvalla. Ata janë: Nait Hasani (Shqipëri), Gjergj Dedaj (Maqedoni e Veriut), Ylber Hysa (Mal i Zi), Shpend Kallaba (Hungari), Arbër Vllahiu (Çeki), Gëzim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Beqë Cufaj (Gjermani), Lirim Grajqevci (Holandë), Hajdin Abazi (Australi), Amir Ahmeti (Katar) dhe Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe).

Ndërkohë, ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, ka njoftuar se atij i ka arrritur dekreti i presidentes për lirim nga misioni. Gashit ka bërë të ditur se ai kakërkuar vetë lirimin nga detyra, në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

“Pas kërkesës sime të bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot e kam pranuar dekretin e Presidentes për mbarimin e misionit tim në Paris”, ka njoftuar Gashi.

(r.m.)

Comment

*