Miratohen marrëveshje lejeqëndrim/leje pune dhe trajtim të barabartë me Kosovën

Të dy marrëveshjet do të firmosen në mbledhjen e shtatë të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të premten e 26 nëntorit në Elbasan

Knid Ndrenika

Dy marrëveshje janë gati nga Shqipëria me Kosovën për lehtësimin e procedurave dhe trajtimin e barabartë të shtetasve të të dy vendeve.

Qeveria e Shqipërisë miratoi dy marrëveshje me rëndësi me Kosovën që lidhen me lejet e qëndrimit dhe lejet e punës me procedura të lehtësuara si dhe mbrojtjen sociale të shtetasve të të dy vendeve.

Tash shtetasit e Kosovës nuk do të kenë nevojë të dorëzojnë dokumentacione shtesë për lejeqëndrim dhe lejepune për 5 vjet.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi e quajti marrëveshjen “lajm i mirë për shtetasit e Kosovës “në Shqipëri” dhe për “shtetasit e Shqipërisë në Kosovë”.

“Shtetasit e Kosovës do të marrin me një aplikim, pa dokumente lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda lejes së qëndrimit do të jetë edhe leja e punës. Shqiptarët në Kosovë do të marrin leje qëndrimi me procedura shumë më të lehtësuara”, – tha Zoti Çuçi

Marrëveshja tjetër ishte për njohjen e viteve të punës, sigurimeve shoqërore për qytetarët në të dy shtetet.

Sipas ministres për Ekonomi dhe Financë, Delina Ibrahimaj, marrëveshja ka të bëjë me mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë për njohjen e periudhave të sigurimeve shoqërore.

Zonja Ibrahimaj tha se marrëveshja siguron “trajtim të barabartë të punësuarve, punëmarrësve, vetëpunësurave t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve, barrëlindjet, aksidenteve në punë, pensioneve të pleqërisë, të invalidetit, apo pensioneve familjare në të dyja vendet”.

Të dy marrëveshjet do të firmosen në mbledhjen e shtatë të përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës të premten e 26 nëntorit në Elbasan.