Miratohet gazsjellësi “TAP”, Berisha: Të përfshihet Kosova, projekt madhor

Kryeministri Sali Berisha udhëhoqi mbledhjen e parë të qeverisë pasi pranoi mbrëmjen e së mërkurës humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri përgëzoi miratimin e projektit “TAP” që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani, në Shqipëri dhe furnizimin e Europës nëpërmjet Italisë. Zoit Berisha tha se nga pikëpamja strategjike gazsjellësi “TAP” është me rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, Kosovën dhe furnizimin e Europës me gaz

 

Denion Ndrenika

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi miratimin e projektit të gazsjellësit “Trans Adriatik Pajplajn” i njohur si “TAP” nga konsorciumi “Shah Deniz” në Azerbajxhan. Projekti përfshin kalimin e tubacioneve dhe sjelljen e gazit në territorin e Shqipërisë, gazifikimin e vendit dhe vazhdimin në tregjet europiane që nga Italia. Zoti Berisha udhëhoqi mbledhjen e parë të qeverisë pasi pranoi mbrëmjen e së mërkurës humbjen në zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri tha se gazsjellësi është përfitim jashtëzakonisht i madh për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo, nga pikëpamja strategjike dhe ekonomike, për vende pune, përdorimin dhe shpërndarjen e gazit: “TAP” përbën arritjen më të madhe të Shqipërisë pas anëtarësimit në NATO, në fushën strategjike dhe përgjigjen më të shkëlqyer  të interesave të saj strategjike. Natyrisht procesi i integrimit në Bashkimin Europian është proces dominues, por në situatën aktuale ky është vendi më i rëndësishëm në rrafshin strategjik për shqiptaret dhe për Shqipërinë, zgjidhjen përfundimtare të problemit numër 1 që ekziston për shumicën e vendeve të botës, problemit të energjisë. Pra me shndërrimin e gazit në burim kryesor energjetik për gatimin dhe ngrohjen”. Kryeministri kujtoi se “TAP”-i është projekti më i madh në Europë me një investim që shkon deri në 40 miliardë dollarë amerikanë dhe që do të do të krijojë në Shqipëri me mijëra vende pune. “Ndërkohë, ky projekt që është de fakto projekti më i madh i gazit në Evropë, një investim prej 40 miliard dollarë tejkalon në investim çdo projekt tjetër gazsjellësish, do të krijojë në Shqipëri në të gjithë trajektoren e tij dhe më gjerë, mijëra vende pune, do të krijojë vende pune, jo vetëm me ndërtimin e tij, por qindra e qindra biznese, shërbime në të gjithë trajektoren e tij. Faktikisht ky korridor bëhet një korridor i fuqishëm punësimi dhe të ardhurash për shqiptarët”-tha kryeministri.
Duke e parë ‘TAP”-in si një projekt gjithëpërfshirës për rajonin, si dhe lidhjen e paramenduar me projektin tjetër të gazsjellësit të jugut (“IAP-Jonian), zoti Berisha tha se janë bërë përpjekje për ta afruar edhe Kosovën. Kërkesën zoti Berisha e bëri të enjten në mesditë kut priti përfaqësuesit e qeverisë së Azerbajxhanit dhe të konsorciumit të “Shah Deniz 2”, të cilët më njoftuan zyrtarisht për përzgjedhjen e “TAP”-it: “Sigurisht në këtë takim, por edhe më parë jemi përpjekur, kam paraqitur kërkesën që të përfshihet edhe Kosova sepse ndjenjat miqësore ndaj shqiptarëve në Kosovë, në Azerbajxhan janë të larta, por ka një problem që e ndërlikon pak këtë çështje dhe ata do ta shqyrtojnë”.
Zoti Berisha kërkoi ndërkaq që deri në fillimin e qeverisë së re, administrata të punojë normalisht pa asnjë lëshim, fuqi të plotë dhe përkushtim të madh. “Çdo lloj demoralizimi është shumë i pandershëm, është shumë i padenjë, është i papranueshëm”-tha ai. Zoti Berisha vlerësoi punën dhe përkushtimin e administratës, ndërsa u kërkoi ministrave që t’ua tregojnë këtë angazhim punonjësve të tyre: ““Administrata e këtij vendi është një pasuri e madhe kombëtare dhe duhet ta tregojë veten, të funksionojë me kapacitet të plotë dhe përkushtim të madh deri në ditën që do të kryesojmë, deri  në ditën që qeveria tjetër do të përzgjedhë mënyrën e organizimit dhe të motivimit të administratës”.

Situata dhe ecuria e zhvillimit të Projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)

Projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), është i një rëndësie strategjike dhe ai do t’i mundësojë Republikës së Shqipërisë të bëhet një vend qendror tranziti për sigurinë e energjisë së Bashkimit Evropian, por edhe në diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz, duke shënuar kështu hapjen e Korridorit Jugor të Gazit (Energjetik) per Evropen.
Ndërtimin i projektit TAP (aksionerët e të cilit janë kompania zvicerane AXPO (42,5%), kompania norvegjeze STATOIL (42,5%), si dhe kompania gjermane E.ON Ruhrgas (15%)), do të përfaqësojë një sistem gazsjellësi efiçent, të sigurt, dhe të qëndrueshëm për transportimin e gazit natyror të prodhuar nga Faza II në vendburimin e gazit Shah Deniz në Republikën e Azerbajxhanit dhe më pas më gjerë edhe nga rajoni, për shpërndarjen e tij në tregjet brenda Republikës së Italisë dhe më tej në Evropën Perëndimore, duke kaluar përmes Greqisë dhe Shqipërisë.
Projekti TAP është rreth 870 km i gjatë, duke përfshirë përafërsisht rreth 550 km në Greqi, rreth 205 km në territorin Shqiptar, 110 km në Detin Adriatik dhe 5 km në Itali.
Pika e fillimit të Gazsjellësit në territorin grek është në Kipoi  në afërsi të kufirit greko-turk ku do të ndërlidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), ndërsa pika e daljes në territorin Italian në San Foca (Leçe). Korridori ku do të kalojë projekti TAP në territorin shqiptar shtrihet në 35 bashki dhe komuna të Qarkut Korçë, Qarkut Berat dhe Qarkut Fier.
Gazsjellësi do të ketë një kapacitet transporti prej 10 miliardë m3 (bcm) gaz të ri në vit drejt Evropës, duke filluar që nga viti 2018 dhe sipas nevojës do të ketë mundësi që ta rrisë kapacitetin deri në 20 miliardë m3 (bcm).
Konsorciumi i vendburimit të gazit Shah Deniz, Faza II, që përbëhet nga kompania e Azerbajxhanit SOCAR, kompania norvegjeze STAOIL, kompania britanike BP dhe kompania Franceze TOTAL, në përzgjedhjen e tyre të ditëve të fundit kanë vlerësuar projektin TAP, qëndrim të cilin pritet që ta zyrtarizojnë në ditët në vijim.
Sikurse shprehen edhe institucione dhe kompani të rëndësishme të sektorit të gazit, si arsye për përzgjedhjen e projektit TAP nga ana e Konsorciumit të ShahDeniz II, vlerësohen eficenca ekonomike që garanton ky projekt e reflektuar kjo edhe në çmimet më të ulta të gazit në Itali dhe Greqi, por edhe në rajon dhe më gjerë në vende të tjera Evropiane.
Ndërkohë, projekti TAP do të krijojë kushtet edhe për furnizimin me gaz natyror të Shqipërisë, si dhe të ardhura fiskale dhe përfitime të tjera ekonomike, duke paraqitur në këtë mënyrë edhe mundësi për bashkëpunim të mëtejshëm në lidhje me projekte të ardhshme në fushën e energjisë, duke përfshirë lidhjen me rrjetin e gazsjellësve të vendeve të rajonit. Për më tepër projekti TAP ka edhe karakteristika të veçanta shtesë, që kanë të bëjnë me faktin që mundëson lëvizjen fizike të gazit në drejtim të kundërt, si dhe opsionin për të zhvilluar impiantet e depozitimit nëntokësor të gazit në Shqipëri (në zonën e Dumresë, etj.).
Gjithashtu kursi i përzgjedhur nga TAP mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore përveç Shqipërisë, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, por edhe Kosovën e Maqedoninë. Dalja e TAP-it në Itali, tregu i tretë për nga madhësia në Evropë, siguron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit natyror nga Rajoni Kaspik për në disa nga tregjet më të mëdha evropiane si Gjermania, Belgjika, Zvicra dhe Austria por edhe Mbretëria e Bashkuar,.
Investimi total në kuadër të projektit për transportin e gazit nga Republika e Azerbajxhanit drejt Europës nëpërmjet TAP do të jetë rreth 40 Miliardë $ (rreth 30.8 Miliardë Euro). Kjo “urë” energjetike nga Lindja drejt Perëndimit do të përfshijë së paku gjashtë komponentë të veçantë: projektin e puseve në Detin Kaspik, impiantet dhe platformat e pjesës detare, zgjerimin e Terminalit Sangachal në Azerbajxhan, si dhe tre projektet e gazsjellësave Azerbajxhan/Gjeorgji [SCP], Turqi [TANAP], si dhe TAP që do të jetë pikërisht pjesa e fundit e zinxhirit duke u lidhur me TANAP në kufirin Greqi/Turqi.
Një nga dokumentet e rëndësishme në procesin e realizimit te projektit TAP është edhe Marrëveshja Ndërqeveritare ndërmjet të tre vendeve ku do të kalojë projekti TAP (Greqi, Shqipëri dhe Itali), e formuluar si “Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Greqisë dhe Republikës së Italisë, për projektin për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”, e quajtur ndryshe edhe IGA. e nënshkruar nga te tre palët ne Athine, me 13.02.2013 dhe e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 25 Mars 2013. (Ligji nr. 104/2013).
Në datën 5 Prill 2013, u nënshkruan dy marrëveshjet për projektin TAP: “Marrëveshja me Qeverinë e Vendit Pritës, midis Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me Projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, ose e quajtur ndryshe HGA, si dhe .“Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Trans Adriatik Pipeline AG, në lidhje me Projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)””, të cilat janë ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 15 prill 2013 (Ligji nr. 116/2013).
Janë shumë të rëndësishme Marrëveshjet që aktualisht ka lidhur Qeveria Shqiptare me dy nga aksionerët e konsorciumit TAP AG (kompaninë AXPO dhe kompaninë E-on Rhurgas) per furnizimin me gaz te Shqipërisë, në total me një sasi prej 750 milionë m3 gaz në vit. Në këtë kontekst evidentohen anet pozitive te tyre por gjithashtu edhe sfidat qe ato paraqesin sidomos per gjetjen e kundërpartit shqiptar, i cili do te marre përsipër detyrimet afatgjata te kontratave te furnizimit me gaz.
Ndërkohë nga ana e Qeverisë së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të shtetit Shqiptar është proceduar edhe me realizimin e procedurave të tjera institucionale, të cilat kanë të bëjnë me aspektin e implementimit të këtij projekti përsa i përket ndërtimit të tij, domethënë me zbatimin e procedurave në përputhje me kërkesat e ligjit Nr. 10119, date 23.04.2009 “Për Planifikimin e Territorit”, i ndryshuar, dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
-. Kështu, Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) në bazë të propozimit të METE dhe të AKPT ka miratuar Vendimin nr. 2, datë 20.12.2012, “Për përcaktimin e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) si Çeshtje të Rëndësisë Kombëtare në planifikimin e territorit”.
-. Ndërkohë, po me iniciativë të METE dhe nën drejtimin e saj ka përfunduar përgatitja e PLANIT KOMBËTAR SEKTORIAL për projektin TAP, i cili është shqyrtuar edhe nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Vlerësimi i Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) për Ndikimin Mjedisor dhe Social (VNMS) është aprovuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Leja Mjedisore për Projektin TAP në Shqipëri është publikuar nga Qendra Kombëtare e Licensimit.
Po kështu në datën 01.03.2013 u miratua vendimi i përbashkët i Enteve Rregullatore Energjetike të Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, për përjashtimin nga aksesi i palëve të treta një afat 25 vjet të projektit TAP, si dhe disa kërkesa të tjera të këtij projekti, miratim i cili është bërë mbi bazën e Paketës së Tretë të Energjisë të BE. Vendimi i cili është vlerësuar dhe miartuar edhe nga Komisionin Evropian në 17.05.2013), Komisioni Europian ka miratuar edhe formalisht aplikimin e kompanisë TAP AG për përjashtimin për një afat 25 vjet të projektit TAP nga aksesi i palës së tretë (TPA), për kapacitetin fillestar prej 10 miliardë m3. Ne kete kontekst theksojmë rëndësinë që ka kushti i vendosur nga Enetet Rregullatore per TAP qe te ndërtojë pika dalese ne Shqiperi pavarësisht nivelit te kerkeses fillestare.
Një aspekt shumë i rëndësishëm i zhvillimeve për projektin TAP është edhe bashkërendimi i tyre dhe kontributi konkret në projektet rajonale të gazifikimit, duke patur në konsideratë që traseja e gazsjellësit TAP përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Detit Adriatik për në Itali, strategjikisht është shumë e rëndësishme pasi ajo mundëson interkoneksione të shumëfishta me infrastrukturën ekzistuese të gazit dhe atë të planifikuar.
Një element i rëndësishëm është edhe vlerësimi që ka pala Shqiptare për ta konceptuar projektin TAP si një mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve të tjera të gazsjellësave rajonalë, sikurse është konkretisht projekti i Gazsjellësit Ionian Adriatik (projekti IAP), por edhe propozimi për projektin e gazsjellësit Shqipëri – Kosovë dhe më tej drejt Serbisë. Të dy këto projekte përfshihen si pjesë e Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë. (Energy Community Gas Ring – ECGR).
Në procesin e realizimit të projektit TAP dhe të zhvillimit të këtij projekti edhe në Shqipëri, do të vazhdojë edhe -përgatitjet e Shqipërisë për një strategji të gazifikimit në kontekstin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë
-përgatitjet /synimet e Qeverisë Shqiptare për të zhvilluar tregun e gazit në vijim të ndërtimit të gazsjellësit TAP
-evidentimi i konsumatorëve (klientëve) e mundshëm që janë identifikuar tashmë ose që kanë shprehur interes në përdorimin e gazit kur do të ndërtohet TAP
-evidentimi i fushave të identifikuara nga autoritetet shqiptare për të cilat kërkohet ndihmë për zhvillimin e tregut/strategjisë së gazit, duke marrë parasysh edhe zhvillime konkrete në kontekstin e ndërtimit të TAP-gjendjen aktuale të përgatitjeve institucionale dhe procedurale (përfshirë edhe miratimet përkatëse) për punimet ndërtimore për projektin TAP,
-oportunitetet që ofron Shqipëria për depozitimin nëntokësor të gazit natyror (zona e Dumresë, si dhe vendburimet e boshatisura të gazit), mundësi e cila mund të shfrytëzohet edhe nga vende të tjera të Rajonit, por edhe nga vetë kompanitë që do të operojnë gazsjellësin TAP dhe gazsjellësin IAP.
Në nje përshkrim të shkurtër të kërkesës per gaz ne vend, sqarojmë se fillimisht kërkesa do të jetë për përdorimin e gazit për prodhim të energjisë elektrike (pra për furnizimin e TEC-it Vlore dhe mundësitë e zgjerimit te tij, si dhe rikonstruksionin e mundshëm të TEC-it Fier, etj.), por ndërkohë bëhet edhe një vlerësim i te gjithe konsumatoreve te tjere potenciale (industria e çelikut, industria e çimentos, etj.), si dhe parashikimet se si mendohet se do te zhvillohet sektori përfshirë këtu edhe sektorin rezidencial.
Ndër çeshtjet e rëndësishme të palës shqiptare është edhe çështja për nevojen e vemendjes per nje analize te struktures institucionale te sektorit energjetik hidrokarbur dhe burimeve njerezore dhe në veçanti për sektorin e gazit.
Në këtë kuadër vemë në dukje edhe faktin që në Marrëveshjen e lidhur midis Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë TAP AG (si konkretizim i Marrëveshjes me Vendin Pritës) është parashikuar edhe angazhimi i kompanisë TAP AG për mbështetjen e vendit tonë për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri. Sipas kësaj Marrëveshje kompania TAP AG do të financojë deri në 250 mijë Euro për Studimin e fizibilitetit për sektorin e gazit në Shqipëri. Po kështu kompania TAP AG do të investojë deri në 2 milionë Euro për përmirësimin e aftësive të burimeve njerëzore në institucionet, ndërmarrjet dhe fuqinë punëtore të palës shqiptare.