Miratohet kërkesa e Thaçit për zëvendësimin e avokatit mbrojtës

Hagë, 25 maj 2021 – Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou, e ka miratuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që Gregory W. Kehoe të jetë avokat i tij mbrojtës.

Kehoe do të zëvendësojë ish-avokatin e tij kryesor, David Hooper, me kërkesë të Thaçit.

Në vendimin e gjykatësit Guillou, avokati Hooper u urdhërua t’ia sigurojë avokatit Kehoe gjithë ndihmën e nevojshme  dhe të vazhdojë të respektojë kodin e sjelljes profesionale, pas përfundimit të detyrës si avokat kryesor i ekipit mbrojtës të Thaçit.

Avokati i ri i Thaçit i ka edhe katër ndihmës: Dastid Pallaska, Samuel Blom-Cooper, Pierre-Richard Prosper dhe Sophie Menegon.

Më 20 maj, ish-presidenti Thaçi e kishte parashtruar kërkesën për ndryshim në ekipin e tij mbrojtës.

Hregory W. Kehoe ka qenë avokat i gjeneralit kroat, Ante Gotovina në Tribunalin e Hagës, i cili ka qenë i akuzuar për krime kundër serbëve gjatë operacionit ushtarak-policor kroat “Stuhia” më 1995.

Kehoe ka më shumë se 30 vjet përvojë pune. Ai ka punuar mbi 20 vjet për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së.

Kehoe e ka drejtuar ekipin e avokatëve dhe të hetuesve që e kanë këshilluar Tribunalin Special të Irakut, i cili ishte formuar për të ndjekur penalisht ish-presidentin irakian, Saddam Hussein, dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në tetor të vitit 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjenden në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit të kaluar.

(r.m.)