Miratohet në Këshillin e Sigurimit mocioni i propozuar nga Shqipëria dhe SHBA

Për herë të parë pas 40 vjetësh do të mblidhet një Sesion Emergjence i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës

Nga Ruben Avxhiu

Asambleja e Përgjithshme do të mbajë një Sesion Emergjence për sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Vendimi u mor nga Këshilli i Sigurimit pas miratimit të një projekt-rezolute të hartuar nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është hera e parë pas 40 vitesh që Këshilli i Sigurimit fton Asamblenë e Përgjithshme që të trajtojë me urgjencë një temë të ditës. Ky hap vjen pas më shumë se tre ditë luftimesh në Ukrainë dhe një kërcënimi nga Rusia për të vendosur në gatishmëri armët bërthamore.

Nuk është hera e parë që SHBA dhe Shqipëria marrin nisma së bashku që kur kanë filluar debatet për konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës.

Shqipëria është shquar me qendrimet e saj në favor të paqes dhe denoncimit të ashpër të veprimeve të Rusisë. Fjalimet e Ambasadorit të Shqipërisë Ferit Hoxha kanë rënë në sy dhe janë cituar disa herë nga media ndërkombëtare.

Ngjarje të rënda si lufta në Ukrainë nxjerrin në pah kufizimit në aftësitë e OKB-së për të vepruar. Një rezolutë e rëndësishme për Ukrainën së fundi u bllokua nga Rusia, e cila është një nga pesë shtetet që ka të drejtën e vetos dhe mund të anullojë hapat serioze të OKB-së.

Nga ana tjetër, OKB mbetet organizata më e madhe mbarëbotërore, debatet në të ndikojnë në opinion publik ndërkombëtar dhe ka mekanizma që mund të ndikojnë në mënyrë të tërthortë.

“Këto pesë rreshta të tekstit që sapo aprovuam do të hapin dyert e mëdha të vendit ku mblidhet e gjithë bota, Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për të folur hapur dhe për të dënuar një akt të pastër agresioni, të paprovokuar dhe të pajustifikuar”, tha në fjalën e tij sot në Këshillin e Sigurimit, Ambasadori i Shqipërisë Ferit Hoxha.

Ai tha se Sesioni mund të dërgojë “një mesazh të qartë e të hekurt se çfarë është dhe çfarë nuk është e pranueshme, përfshi edhe qytetarëve rusë, që duhet ta dëgjojnë dhe marrin vesh se çfarë po thotë bota”.  

Ambasadori Hoxha tha se Rusisë nuk mund t’i lejohet të thyejë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe ta zëvendësojë me kapriçiot e saj.

“Të gjitha shtetet anëtare, sidomos ata të vegjël, që përbëjnë shumicën e OKB-së, nuk duhet të harrojnë se Ligji Ndërkimbëtar, Rregullat dhe Karta e OKB-së janë miku i tyre më i mirë, ushtria e tyre më e mirë, garancia e tyre më e mirë. Rusia po i saboton këto!”, tha Ambasadori Hoxha. “Është koha që të mësojmë nga gabimet e të kaluarës dhe jo t’i përsërisim”.

Ai tha se Rusia mundet që në çdo moment t’i rikthehet arsyes dhe të ulet për bisedime, jo për dorëzim apo kapitullim, por për paqe.

“…kjo kërkon kthejlltësi, guxim, dhe urtësi, jo kërcënime për apokalips”, tha Përfaqësuesi i Shqipërisë në OKB.

Që nga viti 1950, Asambleja e Përgjithshme është mbledhur vetëm 11 herë në sesion emergjence.

Duke qenë se ishte një mocion procedurial, Rusia nuk mund t’i vinte dot veton si rezolutës të së premtes. Vota ishte 11 në favor, 3 abstenime (Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), kurse Rusia votoi kundër.

“Duket si një ngjarje thjesht proceduriale, por në fakt kishte përmasa historike”, tha pas votës Ambasadori Hoxha. “Rusia u përpoq t’i vinte kapak kësaj teme në Këshillin e Sigurimit, por nesër Asambleja dhe e gjithë bota do të dënojnë këtë akt të pastër të pajustifikuar dhe panevojshëm agresioni”.