Miratohet pa opozitën ndarja e re mandateve të deputetëve për zgjedhjet

PS akuzoi se banorë të Tiranës u bënë banorë në Kukës për të shtuar fiktivisht popullatën dhe lënien e 4 mandateve si në 2009 – PD tha se Kuvendi nuk po merr kompetencat e KQZ-së, por KQZ nuk përmbushi detyrimin ligjor për ndarjen e mandateve

 

Kuvendi i Shqipërisë i dha fund me votë debateve dhe mosmarrëveshjeve të qarta dhe të paqarta mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për ndarjen e re të numrit të 140 mandateve të deputetëve në 12 qarqet e vendit për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. 72 deputetë votuan pro ndarjes, 63 deputetë kundër dhe 1 abstenim lanë në fuqi ndarjen e mandateve të zgjedhjeve të vitit 2009.
Ndarja krijoi probleme dhe mosmarrëveshje që tanimë janë të zakonshme, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e përmbushi detyrimin e tij, pasi Kolegji Zgjedhor gjithashtu la në fuqi vendimin e KQZ-së, por edhe se përse Kuvendi e mori përsipër ta bënte këtë ndarje. Përfaqësuesit opozitarë në KQZ nuk votuan ndryshimin e mandateve që linin në 4 deputetë Qarkun e Kukësit, me arsyetimin se popullata ishte rritur fiktivisht përkundrejt uljes po fiktive në Qarkun e Beratit.
Duke qenë zona përgjithësisht të pritshme për mbështetje të PS-së në Berat dhe PD-së në Kukës, komisionerët nuk u morën vesh dhe Kuvendi e futi në rend dite. Por, edhe kjo ishte e paqartë pasi opozita thoshte se KQZ ka kohë ligjore deri në 7 mars për të ndarë zonat zgjedhore, duke mbështetur ndryshe nga qëndrimi i parë pikërisht ndarjen e zonave sipas zgjedhjeve të vitit 2009. Në këtë mori qartësisht dhe paqartësisht juridike dhe politike, e përbashkëta është mosbesimi. Opozita paralajmëron se ndarja e mandatave synohet të përdoret për manipulimin e zgjedhjeve, kurse shumica qeveritare thotë se vetë opozita është e paqartë pasi më parë kundërshtoi ndarjen e 2009-ës dhe më pas e mbrojti me këmbëngulje.
Deputeti socialist Pandeli Majko, dy herë ish-kryeministër, qartësisht akuzoi qeverinë se po përpiqet të “vrasë zgjedhjet”. “Ju keni filluar sezonin e gjahut dhe po kërkoni të vrisni zgjedhjet! Shqiptarët duhet të refuzojnë të jenë gjahu i politikës, ata duhet të vendosin masivisht të vendosin me votën e tyre kundër kësaj kolere politike”-tha ai. Sipas zotit Majko, me ndarjen e mandatateve nga ana e Kuvendit po shkelet Kodi Zgjedhor. “Shtimi artificial i popullatës në Kukës, kjo që po ndodh është më shumë se turp! Ky është një akt i paprecedent, që mandatet të ndahen sipas vitit 2009”!
Kryetari i deputetëve socilaiste Gramoz Ruçi akuzoi po ashtu se me firmën e zëvendësministrit të Brendshëm, Arben Ristani, qeveria po vepron njesoj si me firmën e Arben Ristanit kur ishte kryetar i KQZ-së për të vjedhur zgjedhjet. Zoti Ruçi nuk e fshehu ironinë dhe pakënaqësinë ndaj zëvendësministrit: “E çuam që të monitorojë procesin e zgjedhjeve, jo më në KQZ, por në ministrinë e Brendshme që merret zgjedhjet dhe sot na vjen përsëri vendimi “Ristani”!
Teknikisht, arsyetimin e socialistëve e bëri Sekretari Zgjedhor, Damian Gjiknuri. Zoti Gjiknuri akuzoi gjithashtu për lëvizje të dyshimta popullate nga zona të tjera të vendit për në Kukës, për të mbajtur atje 4 mandate. “Mandatet duhet të ndahen me konsensus, por Kuvendi ka marrë në dorë “frenat”. njerëz që banojnë në Kamëz e Laprakë me urdhëresë të Ministrisë së Brendshme janë vendosur në 4 komunat e Kukësit, që aty të rritej artificialisht numri i banorëve. Kuvendi po kryen një krim të dyfishtë duke ndarë mandatet në mënyrë të dhunshme”. Sipas deputetit Gjiknuri, “Kuvendi do të uzurpojë në mënyrë të paligjshme pushtetin, duke ndarë mandatet në kundërshtim me të drejtën e votës”. “Po krijohen mutacione juridike, – shtoi ai, – pasi kërkohet me çdo kusht kërkohet ndarja e njëanshme e mandateve”. Sipas Gjiknurit, politikisht asnjëherë opozita nuk ka bllokuar, ndonëse kështu ka interpretuar qeveria: “Nuk është bllokimi jonë, por diktat i njëanshëm politik dhe ju e shisni si bllokim, ndërkohë që realiteti neve na detyron të bëjmë vetëgjygjësi politike. Edhe sikur kështu të rrinë mandatet, edhe pa konsensus të jeni të bindur që nuk e merrni dot votën e popullit”.
Mirëpo, relatori i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit për çështjen e ndarjes së mandateve deputeti i PD-së, Edi Paloka, arsyetoi se pikërisht janë socialistët ata që “njollosën procesin në KQZ” dhe nuk kanë të drejtë kur pretendojnë se Kuvendi nuk mund të marrë kompetencat e tij (KQZ-së). Sipas zotit Paloka, Kuvendi e mori këtë hap pasi KQZ dështoi të ndajë me vendim mandatet e qarqeve. “Në KQZ u shpreh qartë vullneti për të bllokuar nga anëtarët e propozuar nga PS. KQZ e ezauroi plotësisht rrugën e tij administrative për të vendosur numrin e mandateve të zonave zgjedhore. Në përfundim te procedurës, sipas Kodit Zgjedhor, KQZ nuk mundi të miratonte këtë çështje. Njollosja e procesit ka përgjegjës tre anëtarët e KQZ të propozuar nga opozita. Kuvendi ka kompetencën e plotë ligjore për caktimin e mandateve të deputetëve për zgjedhjet. Kuvendi nuk mund të lejojë futjen e procesit në kolaps. Kuvendi nuk mund të marrë dhe as të zëvendësojë rolin e KQZ, por rruga e vetme mbetet caktimi i mandateve të bërë nga Kuvendi në vitin 2009”-tha ai.

 

MANDATE VITI
QARKU 2009 2013
Berat 8 8
Dibër 6 6
Durrës 13 13
Elbasan 14 14
Fier 16 16
Gjirokastër 5 5
Korçë 12 12
Kukës 4 4
Lezhë 7 7
Shkodër 11 11
Tiranë 32 32
Vlorë 12 12

Comment

*