Mirë se vjen viti jubilar 2012!

Sami Repishti

Sami Repishti

Për të gjithë vëllaznit dhe motrat që ndihen krenarë për emnin “shqiptar” dhe “shqiptare”, urimet e mia më të mira për vitin jubilar 2012. Gjithashtu, mirë se vjen shekulli i dytë i Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, shekulli i shpresës së madhe, akoma të papërmbushun, shekulli i ëndëruar që nga vitet e largëta të Rilindjes shqiptare, që nga bankat e shkollës fillore ku muarrëm mësimin e parë mbi Shqipërinë, tokën e saj, popullin e saj, e historinë e saj të dhimbshme. Sot mendojmë se kjo trashëgimi që sjell lot në sy, nuk duhet të jetë “fati” i pandryshueshëm i Shqipërisë sonë, i Shqipërisë së të gjithë shqiptarëve. Sot kemi çdo të drejtë të mendojmë dhe të punojmë për një Shqipëri që “bën histori”, rrugëtim drejt lirisë së plotë dhe të ndërtuara me duart tona, e jo një Shqipëri që “bën politikë” me përmasa të padëshirueshme dhe të kontrolluara nga forca të brendshme reaksionare, ose të jashtme anmiqsore.
Duam një Shqipëri të lirë, të pavarur, demokratike, të bashkuara dhe europiane, dhe duam ta ndërtojmë me duart tona!

* * *

Në atmosferën e diskutimeve të hapura nuk ka tabu. Të metat që shohim nuk duhen fshehë, ashtu si plagët që marrim nuk duhen mbulue. Mendjet e ndritura të shoqënisë shqiptare duhet të trajtojnë problemet tona me kujdes dhe profesionalizëm, sidomos kur një kontingjent i tyne mban në duart e veta pushtetin politik dhe ekonomik. Qëllimi i të gjithëve është i qartë: përmirësimi çdo ditë i gjendjes ekzistuese për shqiptarët në vend dhe sigurimi i një vendi dinjitoz për Shqipërinë tonë në familjen e kombeve të lira e të qytetëruara. Ne duam hymjen në Europë jo si lypsarë, por si një komb që e meriton!
Fatkeqësisht, një zhvillim i këtillë nuk paraqitet i mundshëm në Shqipëri sot. Etja e pafund për pushtet -dhe pushtet absolut – vrapimi mbas pasunimit të shpejtë e në shumicën e rasteve me mjete te paligjshme, korrupsioni qeveritar dhe qytetar që grijnë administratën e vendit dhe vetë shoqëninë shqiptare, shkelja e paturpshme e ligjit e mosdënimi i krimit, nuk premtojnë një të ardhme të mirë. Kjo situatë ka krijue një imazh shumë negativ për Shqipërinë në botën e jashtme.
Njëish-kryeministër i akzuar për abuzime zyrtare kërkon të zgjidhet President i Republikës në qershorin që vjen. Njëish-president kërkon të mbetet kryeministër për tridhjetë vjet, sikur Shqipëria të ishte “çifligu i babajt”. Parlamenti shëmbëllen më shumë me një “pazar oriental” me kakofoninë e tij. Deputetët janë “të caktuar nga Partitë”, nuk janë kandidatë të zgjedhur lirisht nga populli. Pjesëmarrja e tyne në Kuvend është “fakultative” e varet nga çapkënllëku i “maestros” që drejton orkestrën. Institucioni i Presidencës, simboli i sovranitetit dhe dinjitetit të kombit tonë, merret nëpër kambë me papërgjegjsinë më të madhe. Drejtësia, pushteti i tretë, ashtë politizue aq shumë, sa ka humbë asnjanësinë. Humbja e respektit për autoritetin qeveritar është me të vërtetë shqetësuese.
Ky fenomen politik negativ u mundësue nga mungesa e një shoqënie civile shqiptare, të ndërgjegjshme për detyrat e saj qytetare. Të lodhurnga një shtypje gjysmëshekullore nën tiraninë komuniste dhe nga vorfënia e madhe që mundoi një popull të tanë, “të lirë”, por jo “të çliruem” nga mentaliteti i sistemit komunist, populli shqiptar, i cili u gjet para alternativave të papritura i pa përgatit dhe në një ambient pa rregulla dhe rregullore, u vërsul në fushën e spekulimit, vjedhjes, korrupsionit e krimit me dëshirën e pandalshme për pasunim të menjihershëm. Padrejtësia dominoi me aktin barbar të shfrytëzimit të pakufi e pa ndërgjegje. Ish-anëtarët e nomenklaturës së kuqe dhe fëmijt e tyne zhveshën “shtetin” e ndërtuar me djersë – e me gjak të pafajshëm – dhe krijuen pasuri të shpejta e marramendëse. Të tjerë ndoqën shembullin e tyne të mbrapshtë. Shqipëria hyri në rrugën e plutokracisë që rritet çdo ditë!
Si rrjedhim, u monopolizue sektori ekonomik i vendit. Shteti u transformue, në logjikën e tyne të smurë, në një “lopë qumshti”, ku ata që duhet të shërbejnë ose t’i qëndrojnë pranë, janë “mjelsit” më të mirë. Katastrofa ekonomike ishte e paevitueshme me të gjitha efektet e saja, sidomos në formimin e karaktereve të reja pa vlera morale. “Konsumerizmi” i shfrenuar i një kapitalizmi të egër e të pashpirt u ngrit në piedestalin e vlerës kryesore. Çdo gja tjetër u nënshtrue para një sulmi të këtillë.
Liria e fituara përfundoi në një gjendje fiktive dhe perceptimi zëvendsoi realitetin e përditshëm. Çdo njeri thërriste “liri!” dhe asnjeri nuk mendonte për “përgjegjsi”. Në Shqipëri nuk u kuptue se “liria” e “përgjegjsia” janë dy anët e të njajtës monedhë. Liria pa përgjegjsi është “anarki”, dhe përgjegjsia pa liri është “tirani”. Shqiptarët nuk kanë nevojë as për të parën, as për të dytën. Si rrjedhim, kemi sot një boshllëk të madh shpirtënor e moral që duhet mbushë dhe sa më shpejt me vlera morale të trashëguara si nderi, besa, burrënia, mikpritja, solidariteti kolektiv i fshatit dhe qytetit, e natyrisht dashunia për një liri të vërtetë, jo të egër e primitive, por frymëdhanëse. Gjatë shekujve, Shqipëria ka dhanë shembuj të naltë vlerash morale, të cilat janë të mundshme vetëm tek një popull që i kultivon këto vlera.
Përcaktimi i arsyeve që sollën konfuzionin moral e politik të vendit tonë janë të shumta dhe subjekti i studimeve antropologjike dhe sociologjike: njeriu shqiptar dhe shoqënia që ai krijon. Hapi i parë është “ndërgjegjsimi” i pranisë së fenomeneve negative, sado i dhimbshëm që mund të jetë një proces i këtillë. Asht i domosdoshëm! Mbas “ndërgjegjsimit” vjen analizimi i origjinës dhe i zhvillimit të këtyne fenomeneve, dhe më në fund, nevoja për “rindërtimin moral” të qytetarisë së gënjyeme. Propaganda pa substancë dhe aksionet spontane të lidershipit nuk kanë vlerë.
Nganjiherë ngjet që para rrezikut të përbashkët ngjallet një guxim i përbashkët për një aksion të përbashkët që ofron një energji të ekzaltuara. Atëherë, zakonisht, lind shpresa për një jetë që nuk njeh skllavëri. Së bashku, të gjithë ngrihen nalt, fitojnë moralisht dhe guximi i përbashkët kthehet në një mit modern: shpresë për një jetë të lirë e me dinjitet. Pikëpamje të këtilla shëmbëllejnë konturet e një revolucioni paqësor që nuk ashtë terminologji ofenduese; në të kundërtën, ai është çlirim pa tragjedi personale e kolektive.

* * *

Të larguar nga Shqipëria për vite të gjata, “emigracioni” shqiptar – ose diaspora – e ndien shumë mungesën e “atdheut të lindjes”. Çfaqjet e vazhdueshme të atdhedashunisë janë dëshmia më e plotë: ruejtja e gjuhës amtare, shkollimi shqip i fëmijve, çfaqjet kulturore e artistike me frymë shqiptare, shtypi shqip, lobimi për Shqipërinë e Kosovën në atdheun e adoptuar e tjera. Ky është sentimentalizmi i tyne ndaj “çështjes shqiptare”. Në mbrendinë e botës së tyne sentimentale dhe të kufizuara, Shqipëria dhe shqiptarët akoma idealizohen, një gjendje shpirtënore që nuk pranon realitetin e padëshirueshëm dhe që sjell si rrjedhim zhgënjimin e thellë sa herë që mërgimtarët e përballojnë atë. Nga këto premisa, nënvizoj tre aspekte të mendimit politik të “diasporës” për çështjet shqiptare: E para, urrejtja dhe hakmarrja janë një kancer që shkatërron tek ata që e ushqejnë.
Urrejtja dhe hakmarrja duhen zëvendsue me parimin e “faljes së fajit” dhe idealin e “pajtimit” të përgjithshëm. Ky qëndrim është shumë i vështirë – unë jam dëshmitar! – por është shumë fisnik, dhe siguron një kapital moral të pallogaritshëm, bazë e fortë në ndërtimin e një shoqënie civile solidare. E dyta, në Shqipëri dhe në hapësinat e banuara nga shqiptarët nuk ka “anmiq”. Anmiqët janë përjashta kësaj zone. Në Shqipëri ka “kundërshtarë”, dhe kundërshtari nuk është anmik. Parimisht, kundërshtari është një element pozitiv i historisë, sepse nuk pranon “uniformitetin” që na shqiptarët njohim shumë mirë. Ky mospranim lind nevojën e “diversitetit”, ndryshim-mendime që synojnë një objektiv: zgjidhjen e problemeve në frymën e lirë, debatin e lirë dhe marrjen lirisht të vendimeve me shumicë. “Diversiteti” nuk lejon formimin e konformizmit që djeg çdo mundësi të zhvillimit demokratik.
Nganjiherë njeriu ka përshtypjen se diskutimet e hapura e të zgjatura nuk nxjerrin gja në dritë. Kjo tezë nuk është logjike. Ajo që afron qytetarët e lirë të një vendi të lirë – si Shqipëria që ne ëndrrojmë – nuk është konformizmi por “solidariteti” në mes nesh që lindë nga dashunia e jonë e përbashkët me shërbye “Nanën Shqipëri” dhe nga bindja e sinqertë e secilit për nevojën e krijimit të një shoqënie shqiptare të qytetnuara, të ndërgjegjshme për rolin e saj në histori dhe në kuadër të botës së qytetnuara. E treta, Shqipëria duhet të “modernizohet”, të hyjë në shoqëninë e qytetnuara bashkëkohore të botës së lirë, që shpesh cilësohet si “qytetnimi euroatlantik”. Gjatë historisë bashkëkohore, – që nga idealizmi uilsonian i drejtësisë dhe i transparencës (“Open covenants, openly arrived at”, 1919), Pakti Kellogg-Briand (1928), Karta e Atlantikut (1941), Karta e OKB-së (1945), Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (1948), Akti Final i Helsinkit (1975) Konventa e Kopenhagës dhe Karta e Parisit (1990) – bota e qytenuara ka deklarue solemnisht angazhimin e shteteve për ruejtjen e paqes, respektimin reciprok në mes tyne, dhe sidomos ka adoptue një seri statutesh për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Parime të vjetruara, të trashëguara nga Traktati i Vestfalisë (1648) ose Kongresi i Vjenës (1814) sidomos ai i “sovranitetit absolut” që lejon qeveritë e një vendi me shtypë popullsitë vendëse, kanë humbur peshën e tyne në kodin ndërkombëtar (Kosova është një shembull i ndritur) e janë zëvendësue me prioritetin e të drejtave të njeriut mbi autoritetin qeveritar dhe konceptin e “sovranitetit absolut”. Sot kemi konceptin e ri të “sovranitetit të kufizuem” të shtetit dhe sovranitetit të paprekshëm të qytetarit. Sot “liria e individit” është ideali suprem, një orientim historik që zhvillohet me konceptet e lirisë dhe të drejtave të njeriut, thanë ndrysh “feja e shekullit 21”.
Sot, këto fjalë të shenjta, “liri” dhe “të drejta”, nënkuptojnë “liri nga frika” (kryesisht nga autoriteti qeveritar) dhe “liri nga uria” (kryesisht nga papunësia dhe varfëria).

* * *

Thirrja e studentëve të Dhjetorit 1990, “Liri, demokraci! Edhe ne si gjithë Europa”, mbetet thirrja më e rëndësishme dhe substanciale në historinë bashkëkohore shqiptare. Ajo është e skalitur në shkëmb dhe për të gjitha kohët. Kjo trashëgimi fisnike e rinisë studentore shqiptare nuk duhet harrue, nuk duhet anashkaluar.